Punimet në kantierin e tunelit të Llogorasë në Vlorë po ecin me ritme të shpejta dhe zbatueshmëria e projektit po ecën mirë, sipas parashikimeve.
Kështu deklaroi zv.kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturë dhe Energjetikës, Belinda Balluku ku tha se, “në tunelin e Llogarasë puna vijon me ritme të larta dhe së shpejti do të jem atje, pasi më 14 nëntor bëhet një vit nga nisja e punimeve të kësaj vepre të rëndësishme me ndikim të madh në ekonominë e vendit”.
Balluku bëri të ditur se ecuria e punimeve aty ka qenë e jashtëzakonshme dhe, siç tha ajo, “ne kemi bërë një pakt jashtë çdo afati kontraktual, që ta hapim tunelin në mes apo në fund të muajit shkurt 2023”.
Balluku gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimin e rrugës Fier-Vlorë vlerësoi ecurinë e investimeve në veprat e ndryshme infrastrukturore që janë zhvilluar apo janë në zbatim në qarkun e Vlorës, teksa tha se “kjo gjë ndodhi sapo hoqën nga listat e pritjes projektin e bypass-it të Vlorës që ishte më kompleksi në të gjithë Shqipërinë, ndërsa kantieret e tjera në qarkun e Vlorës kanë ecur me ritmin e duhur”.
Tuneli i Llogorasë lidh Urën e Shën Elizës me atë të Palasës me një gjatësi prej 5.9 km, si dhe do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura 110 dhe 40 metra. Ndërtimi i saj shkurton kohën, ul kostot dhe rrit sigurinë rrugore drejt bregdetit të jugut.
Gërmimet kanë vijuar nga të dyja drejtimet e tunelit, Dukati dhe Palasa që do të përshkohen në vetëm 10 minuta.
Tuneli hap një portë të re në jug të vendit, që synon ta kthejë jugun e Shqipërinë në një atraksion turistik jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin dhe pse jo edhe më gjerë.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade
Rregullat për plazhet. Zbardhet kontrata e re, gjoba deri në 400 mijë lekë dhe rastet kur prishet kontrata