Plot 35 objekte me strukturë betoni dhe metalike të ngritura pa leje janë shembur në Ksamil, Sarandë e Velipojë në vetëm 6 ditët e para të operacionit “Bregdeti Ynë”. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi njoftoi sot se, ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar 5 persona, ka shpallur 1 në kërkim dhe disa të tjerë i ka proceduar penalisht që prej nisjes së këtij operacioni, i cili, siç shprehet ai, është veçse fillimi i fundit të marrëzisë për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar territor sipas dëshirës.
“Lajm i mirë që për 10 objekte kanë qenë vetë ndërtuesit e paligjshëm që i kanë shembur dhe po vetë i kanë hequr inertet”, tha Çuçi.
“E gjithë vija bregdetare nga Velipoja në Ksamil do të pastrohet njëherë e mirë nga çibanët e ngritur prej babëzisë për të fituar në kurriz të zbatimit të ligjit e mbrojtjes së mjedisit. IKMT dhe Policia e Shtetit do ta shtrijnë këtë operacion edhe në zona të tjera për ta çliruar përfundimisht bregdetin nga shkelësit e ligjit, të cilët kurrsesi nuk do t’i ikin përgjegjësisë për këto ndërtime”, tha ministri. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit prej kësaj të hëne ka nisur operacionin për pastrimin e bregdetit nga objektet e paligjshme. Më pas do të nisë shembja e ndërtimeve pa leje në Zonat e Mbrojtura dhe përgjatë akseve rrugore në mbarë vendin.///ATSH///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade