– Vendi i shqiponjave, me pamje nga Adriatiku dhe Joni, është një destinacion i ri për turizmin veror. Arsyet? Ndodhet afër Italisë, është i pasur me bukuri natyrore dhe ka disa nga plazhet më të bukura në Ballkan, shkruan Francesca Masotti për gazetën më të njohur italiane ”Il corriere della sera” (https://viaggi.corriere.it)
Vitet e fundit Shqipëria ka rilindur. Ajo është e re, dinamike, me qytete plot gjallëri, dete të kristalta dhe peizazhe të pacënuara.
Ja plazhet më të bukura për t’u vizituar e frekuentuar në Shqipëri:
Velipoja
Plazhi i Velipojës është një rrip i gjatë me rërë të artë me veti të forta shëruese, falë përqendrimit të lartë të jodit në ujërat e tij, jo shumë larg Shkodrës dhe liqenit me të njëjtin emër.
Në veri të plazhit ndodhet Rezervati Natyror i Velipojës, një mbretëri fazanësh, dhelprash, çakejsh dhe derrash të egër, në fund të të cilit është e dukshme pika ku derdhet lumi Buna në Adriatik.
Kepi i Rodonit
Kepi i Rodonit është një kep shkëmbor, që shtrihet në Adriatik rreth një orë larg kryeqytetit Tiranë.
Plazhet përgjatë kepit janë të rrethuar me pyje mesdhetare.
Këtu mund të vizitoni kishën e Shën Antonit dhe mbetjet e kalasë së ndërtuar në kohën e Gjergj Kastriotit, Skënderbeu, heroi kombëtar i Shqipërisë, në vitet 1400.
Narta
Në veri të Vlorës, qyteti i tretë më i madh në vend dhe porti i dytë pas Durrësit, Laguna e Nartës karakterizohet nga plazhe të gjera ranore me ujëra të cekëta, ideale për ata që udhëtojnë me fëmijë shumë të vegjël.
Në fund të lagunës, ndodhet manastiri ortodoks i Zvernecit, i ndërtuar midis shekujve XIII-XIV.
Karaburuni dhe Sazani
Ish-zona ushtarake me qasje të kufizuar deri para disa vitesh, gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit kanë hapur dyert për vizitorët dhe mund të arrihen vetëm më këmbë, makina 4×4 ose me anijet që nisen çdo ditë nga porti i Vlorës.
Karaburuni, në veçanti, është i famshëm për shpellat e tij, si ajo e Piratëve, për ujërat e tij të kristaltë dhe për limanet e izoluar me plazhe me guralecë të bardhë.
Palasa
I ndodhur nën qafën malore të Llogarasë, Palasa është plazhi i parë që hasni përgjatë rivierës së famshme shqiptare.
Pikërisht në këtë gji, në formë gjysmëhëne, zbarkoi Cezari me legjionarët e tij në shekullin II para Krishtit.
Guralecë të bardhë, një det për t’u patur zili dhe një peizazh shkëmbor i mbuluar me bimësi.
Dhërmiu
Guralecë të bardhë, gjire të fshehura, ullinj shekullorë, por edhe shumë klube plazhi dhe turistë në muajt e verës.
Dhërmiu, një plazh i bukur menjëherë pas Palasës, është një nga destinacionet më të famshme bregdetare në Shqipëri.
Gjithashtu, vlen të vizitohet fshati që i jep plazhit emrin e tij: shtëpi të ulëta, kisha të bardha me kupola blu dhe pamje të pakrahasueshme të gjirit më poshtë.
Drimadha
Drimadha është vazhdimi i plazhit të Dhërmiut, një gji i fshehur mes dy plazheve, njëri me rërë dhe guralecë të vegjël, tjetri me guralecë të bardhë, i ndarë nga një formacion shkëmbor.
Një mrekulli e natyrës, që mund të arrihet më këmbë përmes një shtegu të shkurtër, një nga plazhet më romantike në Shqipëri.
Gjipeja
Ata me këmbë të stërvitura mirë mund të vizitojnë Gjipen, një perlë e fshehur në fund të një kanioni, që zhytet në detin e bruztë. Një nga gjiret më të bukura në Ballkan.
Jala
Poshtë fshatit Vuno, një nga më karakteristikët e rivierës shqiptare, është Jala, një plazh i vogël i lagur nga ujëra të bruzta, i vendosur midis formacioneve shkëmbore.
Himara
Perla e Rivierës, qyteti i Himarës ka një det të mrekullueshëm, të pastër dhe blu.
Plazhi i Livadhit , rreth tre kilometra larg qendrës, wshtw njw nga mw tw frekuentuarit, për shkak të bukurisë së tij.
Nuk duhet humbur as gjiri i Filikurit.
Llamani
Midis Himarës dhe Porto Palermos, Llamani është një nga plazhet më pak të frekuentuar të Rivierës shqiptare, një gji me ujëra të kristalta, i rrethuar nga kodra që zhyten në det.
Porti i Palermos
Gadishulli i vogël i Porto Palermos është një nga destinacionet më evokuese në Shqipëri.
Borshi
Ai është plazhi më i gjatë në bregdetin e Jonit, ideal për ata që duan ta kalojnë ditën duke notuar ose duke shëtitur përgjatë bregut.
Plazhi magjepsës rrethohet nga natyra e harlisur, kryesisht nga pemë ulliri, që e mbushin ajrin me aroma të freskëta dhe verore.
Saranda
Qyteti më i famshëm bregdetar në Shqipëri, mbretëresha e padiskutueshme e jetës së natës dhe plazheve të bukura, si ai i Krorezit, Kakomesë ose Pulëbardhës.
Ksamili
Shumë e konsiderojnë atë plazhin më të bukur në Shqipëri.
Ai është një liman me rërë të artë dhe guralecë të imët të larë nga ujëra të kristalta.
Veçantia e këtij plazhi qëndron në faktin se në gjirin e tij ka tre ishuj idilikë, të mbuluar me bimësi të harlisur, të arritshme me not ose një udhëtim të shkurtër me varkë.
Pas tij, Parku Arkeologjik i Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO -s, një mikrokozmos mesdhetar me relike që variojnë nga epoka ilire deri në atë osmane.
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI