Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO, dënoi sot me një vit shërbim prove ish kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, pasi e gjeti fajtor për fshehje pasurie dhe deklarime të rreme mbi paratë e përdorura në blerjen e shtëpisë.
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, akuzoi ish gjyqtarin Dedja se në formularin e vetëdeklarimit të pasurive ka fshehur pasuri, që kanë të bëjnë me një shtëpi në plazh dhe burimin e një pjesë të parave, me të cilat bleu një shtëpi në kryeqytet. Ish gjyqtari Dedja ka thënë se një pjesë të këtyre parave ia ka marrë hua kunatit të tij, i cili i kishte siguruar ato nga puna në emigracion, ndërsa shtëpinë në bregdet e kishte në përdorim.
SPAK kishte kërkuar një vit burgim për zotin Dedja, ndërsa GJKKO e dënoi me gjashtë muaj burg, dënim i konvertuar me një vit shërbim prove.
Ai bëhet kështu ish gjyqtari i parë, që u dënua nga Gjykata e Posaçme, pas një cikli të plotë të procesit të vetingut, i cili e largoi nga detyra e lartë që mbante në Gjykatën Kushtetuese.
Për akuza të ngjashme janë nën hetim edhe ish gjyqtarë dhe ish prokurorë të larguar nga sistemi i drejtësisë prej procesit të vetingut. Sistemi shqiptar i drejtësisë ka hyrë prej disa vitesh në një reformë të thellë strukturore, e cila përfshin përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve bazuar në pastërtinë e pasurisë dhe integritetit profesional. Gjatë këtij procesi janë shqyrtuar afro treçereku i gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit dhe janë larguar nga puna më shumë se gjysma e tyre.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI