SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Destinacionet më të egra të Mesdheut, mes tyre Laguna e Nartës

Deti Mesdhe është i jashtëzakonshëm dhe i mrekullueshëm, me thesare të pafundme që presin t’i zbuloni.

Si Viaggia.it ka përpiluar një listë me destinacionet më të egra dhe të paprekura që duhet t’i merrni në konsideratë në pushimet tuaja të ardhshme, mes tyre edhe Laguna e Nartës. Këto vende ia vlejnë të vizitohen të paktën një herë në jetë.

Alonissos, aty ku natyra mbizotëron

Ishulli i Alonissos, në Arkipelagun Sporadi, është një copëz parajse në planet dhe pak i njohur. Këtu natyra mbizotëron dhe do t’ju krijohet përshtypja se nuk jeni në këtë botë. Ai ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar Detar të Alonissos, një nga rezervat më të mëdha detare në Europë.

Minorca, me bimësi të gjelbër dhe të dendur

Minorca është një ishull i egër në Ishujt Balearik në Spanjë. Ai ruan një florë dhe faunë të pasur, falë së cilës ka fituar kualifikimin si Rezervë e biosferës nga UNESCO. Ka shumë plazhe që nuk duhen humbur dhe të gjitha të rrethuara nga bimësi e gjelbër dhe të dendur.

Plazhi i Mogren, i rrethuar nga shkëmbinj piktoreskë

Një perlë autentike dhe e egër e Malit të Zi është plazhi i Mogren, një nga më të bukurit në Rivierën e Budvës, i rrethuar nga shkëmbinj piktoreskë, jo shumë larg qendrës së qytetit. Plazhi ndahet në dy pjesë, të cilat pastrohen rregullisht.

Porquerolles, i egër dhe i paprekur

Fluturojmë në Porquerolles, një ishull magjik vetëm 20 minuta me traget nga bregu francez, i cili karakterizohet nga një natyrë e egër dhe e paprekur. Është një vend ideal për t’u çlodhur në një nga plazhet e tij të bukur, por edhe për të bërë një aventurë më këmbë ose me biçikletë përgjatë shtigjeve të tij.

Laguna e Nartës, një minierë e jashtëzakonshme natyrore e kripës që nga kohërat e lashta

Një tjetër vend i egër i Mesdheut është Laguna e Nartës në Shqipëri, e cila lidhet me detin nëpërmjet dy kanaleve, duke i dhuruar ujë të kripur. Kjo gjë e ka bërë një minierë të jashtëzakonshme natyrore me kripë që nga antikiteti. Nga pikëpamja e faunës, mrekullia e Nartës janë kolonitë e flamengove rozë.

Plazhi i Palmachim, parajsë e paprekur

Po aq i bukur është edhe Plazhi i Palmachim në Izrael, në jug të Tel Avivit, një parajsë e bukur e paprekur. Ju mund të bëni një shëtitje në mes të një flore dhe faune veçanërisht të pasur, afër dunave mbresëlënëse të rërës.

Comino, një thesar i natyrës së egër

Ishulli i Comino-s në Maltë është i famshëm kryesisht për Blue Lagoon, që është një thesar i natyrës së egër. Ju mund të zbuloni plazhe dhe laguna të fshehura me varkë ose duke ecur nëpër shtigje, ku natyra rrethohet nga ujëra kristal.

Panarea, pezull mes detit dhe qiellit

Edhe Italia ka destinacione të shumta të egra dhe një nga këto është Panarea e mrekullueshme, e cila qëndron pezull mes detit dhe qiellit dhe është më e vogla në Arkipelagun e Eolie-ve. Një Eden i vërtetë i rrethuar me pemë ulliri dhe e pasur me bimësi të harlisur.

Mljet, “ishulli i gjelbër”

E mbyllim këtë udhëtim të destinacioneve më të egra në Mesdhe, në Mljet, në Kroaci, kaq autentik, sa është cilësuar “ishulli i gjelbër”. Një parajsë e vërtetë e natyrës dhe qetësisë, këtu pylli mbulon 70% të ishullit dhe është shtëpia e një prej parqeve natyrore më të bukura në Kroaci.

Si Viaggia.it/monitor///

error: