Pas hapjes së aeroportit të Kukësit dhe firmosjes së kontratës për atë të Vlorës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi sot garën për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Sarandës.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se aeroporti do të jetë i kategorisë 3C dhe pista do të jetë e gjatë 2.2 km.
Në vitin e parë të operimit numri i pasagjerëve që do të udhëtojnë përmes këtij aeroporti llogaritet në 150 mijë. Ndërsa pritet që ky numër të konsolidohet duke arritur një numër maksimal 1 milion pasagjerë në vit.
Aeroporti i Sarandës do të jetë sezonal. Ministrja Balluku tha se janë marrë parasysh të gjitha afatet kohore në bazë të ligjit dhe për ta mbyllur si datë përfundimtare në bazë të ofertave është lënë 23 shtatori.
“Prej kohësh kryeministri Rama ka lançuar strategjinë për zhvillimin e aviacionit civil në Shqipëri duke njoftuar se si ky zhvillim do të vinte dhe hapat që do të hidhnim. Tashmë pas kontratës së re të firmosur nga qeveria shqiptare dhe koncesionarit të ri në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës i kemi shtuar një listë të gjatë kërkesash kësaj kontrate për përmirësimin e të gjitha kushteve në aeroportin e Tiranës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit”, – nënvizoi Balluku.
Ministrja Balluku u shpreh se “pas hapjes së aeroportit të Kukësit që tashmë ka arritur normalitetin, fluturime po kryhen përditë, fluturime të cilat ne i konstatojmë me kënaqësi që ka shumë interes si nga shqiptarët dhe si nga turistët e huaj sidomos në ato zona ku fluturohet në veriun e Europës.
Pas firmosjes së kontratës të koncesionit për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës si aeroporti më i madh i parashikuar në këtë strategji tashmë është momenti final i hedhjes së një hapi të ri që është lançimi i garës për aeroportin e Sarandës.
Duke falënderuar ministrinë e Financave për mbështetjen, Balluku tha se “aeroporti i Sarandës është një procedurë më e lehtë se të tjerat duke qenë se shteti nuk ka një përfshirje direkte”.
“Kjo është procedurë e lirë ne si shtet nuk ofrojmë një garanci financiare qoftë për kompensimin e numrit të pasagjerëve apo forma të tjera garancie financiare. Do të jetë një investim privat i kuotuar me shifrën 37 milionë sipas studimit tonë të fizibilitetit. Ky është një studim i nisur që nga viti 2010 dhe tashmë i përditësuar me të gjitha të dhënat sa i përket numrit të shtretërve në dhomë, infrastrukturës së re që zona ka tashmë, numrit në rritje të vizitorëve të huaj, por edhe vendas në Sarandë”, tha Balluku.
“Aeroporti i Sarandës ashtu si dhe dy aeroportet e tjerë do t’i shtohen kësaj kurore infrastrukture ajrore të rëndësishme, pasi askush nuk e vë në dyshim që zhvillimi i sektorit të aviacionit civil është një kolonë e fortë për zhvillimin ekonomik të një vendi”, – tha Balluku.
Në një reagim pas ceremonisë, Balluku theksoi se sot u hap rruga për ndërtimin e aeroportit të katërt në Shqipëri.“Sot lançuam zyrtarisht garën për ndërtimin e aeroporti të Sarandës, i cili do të jetë një portë më shumë për të gjithë vizitorët për të aksesuar bregdetin e jugut, por jo vetëm. Një vepër e rëndësishme, të cilën ashtu sikundër e kemi premtuar, do ta bëjmë realitet shumë shpejt”, tha Balluku.//atsh///
ME SHUME LAJME
Policia masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore
Info PLUS. Dollia, Qeleshja, Festivali Folklorik i Gjirokastrës dhe Moti i Madh, drejt UNESCO-s
“RestLess”: Shqipëria, xhevahiri ballkanik, mes destinacioneve evropiane më ekonomike për pushime