SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Gjekmarkaj: Deklarata e Policisë ndaj meje, dezinformuese dhe fyese

Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj e ka cilësuar si fyese dhe dezinformuese deklaratën e Policisë së Shtetit një ditë më parë në lidhje me të, për incidentin që ndodhi gjatë protestës së opozitës.

Nëpërmjet një deklarate për mediet, ligjvënësi demokrat thotë se u shty me forcë nga punonjësit e Policisë, pavarësisht se u tregoi se ishte deputet i Kuvendit.

“Nuk do të kisha reaguar për sa ndodhi dje me mua në protestë nëse Policia e Shtetit nuk do më fyente së dyti me deklaratën e vet publike e dizinformuese! Nuk e pëlqej, as e kërkoj viktimizimin! Madje, kurrë në jetën time nuk kam kërkuar as nxitur ballafaqime fizike! Nuk kam sulmuar asnjëherë askënd! Dje thjesht jam mbrojtur. I gjendur para një makine të vogël bashkë me shoqëruesin tim, punonjës i Gardës, i cili u keqtrajtua gjithashtu ndonëse u tregoi edhe dokumentin identifikues, u rrethova nga një grup i madh policësh! Iu thashë mos më prekni, “jam Agron Gjekmarkaj, nënkryetari i Kuvendit të Republikës, deputet, pedagog universiteti”, me butësi, gati me humor, nuk shquhem për force fizike, nuk bëj palestër, “ndaj bëni kujdes”! Më shtynë brutalisht, me shumë forcë, thyen edhe pasqyrën e veturës duke me ngritur gati në ajër mua”, shkruan Gjekmarkaj.

Gjekmarkaj shkruan se nuk u ndie mirë si pasojë e veprimeve të Policisë ndaj tij. Sipas tij, efektivët e Policisë nuk e kanë shtyrë një deputet në atë mënyrë pa një urdhër politik.

“Më tërhoqi shoqëruesi me shumë mundim dhe një djalë nga Lezha përmes policëve teksa ndieja frymëmarrjen që po më ngadalësohej! Sapo dola nga turma e policëve, duke më tërhequr të tjerët, humba ndjenjat! Nuk u ndjeva keq se kisha probleme me shëndetin, por si pasojë e veprimeve të Policisë! Nuk u largova nga protesta se desha të largohem, por më detyruan, nuk u largova për të shkuar në kafe apo shtëpi, por në spital!

Më ka mbetur në kujtesë egërsia në shikim e dy-tre oficerëve të Policisë, zelli i tyre si dikur motit kur arrestoheshin deputetët e opozitës në 1946, u dukej e padrejtë që dikush guxon të protestojë kundër pushtetit të tyre se ata e shohin pushtetin si gjënë e tyre, pse jo edhe si instrument dhune! Gjithsesi ata nuk mund të shtynin një deputet në atë mënyrë pa një urdhër politik!”, shkruan Gjekmarkaj.

Deputeti i Partisë Demokratike falënderoi mbështetësit që iu gjenden pranë, ndërsa shprehu keqardhjen për të lënduarit dhe të ndaluarit e tjerë gjatë protestës.

“Përfitoj nga ky rast i trishtë të falënderoj të gjithë ata që m’u gjendën pranë, protestuesit, demokratët e qytetarët e Lezhës, drejtuesit dhe deputetët e PD, mjekët e Spitalit Ushtarak dhe ata të QSUT për ekzaminimet dhe shërbimin, falënderoj qindra miq e të njohur nga vendi e bota për atë lum mesazhesh që kam marrë prej tyre ende në pamundësi për t’u kthyer përgjigje individualisht!

Shpreh keqardhje të thellë për të gjithë të lënduarit e të ndaluarit të cilët përpiqen për një Shqipëri më të mirë, që nuk e morën vëmendjen që mora unë! Ne nuk kemi frikë! Sot jemi në vigjilje të Krishtlindjeve! Qofshin ato të bardha për ju dhe të gjithë shqiptarët! Të tjerat do të jenë më të mira!”, shkruan Gjekmarkaj./Marseda QEFALIA///

error: