Luftës së Ftohtë në Gjirokastër mbetet një ndër atraksionet turistike më të vizituara për vitin 2024 në qytetin e gurtë. Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se, “nga janari deri në fund të shtatorit ka pasur një fluks të lartë vizitorësh vendas e të huaj, të cilët kanë treguar interes për këtë muze, që funksionon në vendstrehimin luftarak prej betoni, që është ndërtuar në fillim të viteve ’70”.
“Në periudhën 1 janar – 30 shtator 2024 ky muze u vizitua nga 53.638 turistë, ku përqindja më e madhe janë turistë të huaj si spanjollë, italianë, francezë, belgë, holandezë etj.”, tha drejtoria e Turizmit dhe Sporteve në bashki.
Duke qenë se ndodhet pranë Pazarit karakteristik, i cili është edhe zona më e vizituar nga turistët, Muzeu i Luftës së Ftohtë ka pasuruar dhe e ka bërë më tërheqës udhëtimin e turistëve që vizitojnë Gjirokastrën.
Turistët tërhiqen nga historia e ish-vendstrehimit të ndërtuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, si dhe mënyra e ndërtimit të muzeut dhe objektet autentike që ndodhen brenda tij.
Në vizitat e tyre në muze nuk mungojnë as fotografitë e shkrepura në mjediset e muzeut, të cilat i ruajnë si kujtim nga vizita në muze. Një nga mjediset ku turistët shfaqin më shumë interes është edhe salla e konferencave, e cila ishte përdorur për të organizuar mbledhjet e kohës si dhe për të diskutuar rreth objektivave të shtetit. Tuneli ku ndodhet muzeu është i gjatë rreth 800 metra. Në mjediset e brendshme të tij janë ndërtuar një sërë hapësirash, të cilat do të shërbenin për akomodimin e ish-udhëheqjes komuniste lokale të atyre viteve në rast të një sulmi eventual nga jashtë. Vendstrehimi përbëhet prej 80 dhomash, salla mbledhjesh, ambiente pune, pushimi, madje pjesë e tij është edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik etj.(Klodi Saraçini)///









ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI