SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Gonzato: Media ka rol kyç në informimin e qytetarëve për procesin e integrimit europian

Nga Eva XHAJANKA

Roli i medias në informimin e qytetarëve për procesin e integrimit europian dhe reformat që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian ishte në qendër të takimit përmbyllës të programit të trajnimit për gazetarët “Raportimi në mënyrë efektive mbi procesin e integrimit në BE”.

Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Mbështetja e Integrimit në Bashkimin Evropian (EUIS)”, i zbatuar nga DAI, Abkons dhe WeGlobal me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, ndërsa trajnimi u ofrua nga Kolegji i Evropës.

Në këtë takim mori pjesë ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili vlerësoi rëndësinë e informimit cilësor të publikut mbi reformat dhe hapat që Shqipëria po ndërmerr në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke iu drejtuar gazetarëve pjesëmarrës në trajnim, Gonzato theksoi se media mbetet një nga aktorët më të rëndësishëm në ndërtimin e një debati publik të informuar dhe në përcjelljen tek qytetarët të zhvillimeve që lidhen me procesin e integrimit evropian.

Ai nënvizoi se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një proces teknik apo institucional, por një transformim i gjerë që prek jetën e përditshme të qytetarëve, ekonominë, administratën publike, sistemin e drejtësisë dhe standardet demokratike të vendit.

Sipas ambasadorit, raportimi i saktë, i balancuar dhe i bazuar në fakte nga ana e medias është thelbësor për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë përfitimet, sfidat dhe përgjegjësitë që sjell procesi i anëtarësimit.

“Qasja në informacion të verifikuar, të paanshëm dhe të besueshëm është thelbësore për shoqëritë demokratike dhe për t’i ndihmuar qytetarët të kuptojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha shoqëritë tona. Puna e gazetarëve është jetike dhe media duhet të shihet si një nga shtyllat e shoqërive demokratike sot”, u shpreh Gonzato.

Ambasadori i BE-së vlerësoi gjithashtu progresin e Shqipërisë në rrugën europiane, teksa theksoi se reformat përbëjnë elementë themelorë të procesit të negociatave dhe të përafrimit të vendit me standardet e Bashkimit Evropian.

Programi i trajnimit synoi rritjen e kapaciteteve profesionale të gazetarëve në raportimin e çështjeve që lidhen me integrimin europian, negociatat e anëtarësimit, politikat e Bashkimit Evropian dhe ndikimin e tyre në jetën ekonomike, sociale dhe institucionale të vendit.

Trajnimi u fokusua në qasjen ndaj informacionit të besueshëm mbi Bashkimin Evropian, teknikat e raportimit mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe rolin e medias në ndihmën që u jep qytetarëve për të kuptuar më mirë reformat dhe ndryshimet që lidhen me rrugën e vendit drejt BE-së, ku u zhvilluan sesione nga përfaqësues të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Parlamentit Evropian, Kolegjit të Evropës dhe projektit EUIS. ///

error: