ATHINË, 7 nëntor/ AFP/- Mjekët në Greqi u mblodhën sot në Athinë, në ditën e dytë të grevës për të denoncuar situatën, sipas tyre, të mjerueshme në spitalet publike si për stafin ashtu edhe për pacientët.
“Pacientët po vuajnë. Jetët e tyre janë në rrezik nga mangësitë e sistemit spitalor publik, pavarësisht përpjekjeve mbinjerëzore të stafit”, deklaroi Federata Panhelenike e Punonjësve të Spitaleve Publike (POEDHN).
Duke iu përgjigjur në veçanti thirrjes nga Federata e Mjekëve të Spitaleve të Greqisë (OENGE), mjekët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor në spitalet publike u mblodhën për të protestuar para Ministrisë greke të Shëndetësisë.
Ata synojnë të denoncojnë mungesat e rënda të stafit në institucionet publike, të cilat sipas POEDHN, shkaktojnë humbjen e interesit nga profesionistët e rinj për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të vështira të punës.
Sektori i shëndetit publik, përfshirë spitalet, pësoi shkurtime të rënda buxhetore në Greqi gjatë krizës financiare (2008-2018).
Mungesa kronike e financimit denoncohet gjerësisht nga sindikatat. Shpenzimet aktuale për kujdesin shëndetësor arrijnë vetëm 8,5% të PBB-së në Greqi, më pak se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 10,4%, sipas statistikave të vitit 2022.
“Ajo që është vërtet e mjerueshme është realiteti që po përjetojmë sot si punonjës të kujdesit shëndetësor, por edhe ajo që po përjetojnë pacientët”, theksoi Yiannis Galanopoulos, president i Federatës së Sindikatave të Mjekëve të Spitaleve të Greqisë (OENGE)./ (Artan JORGAQI)///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI