Nga sot në bashkinë e Himarës ka nisur zbatimi i ndryshimeve në qarkullimin rrugor me qëllim menaxhimin më efikas të fluksit të automjeteve gjatë sezonit turistik.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo tha sot për ATSH-në se “prej ditës së sotme kanë hyrë në fuqi ndryshimet e miratuara me vendim të këshillit bashkiak Himarë në senset e lëvizjes dhe në mënyrën e organizimit të trafikut në disa rrugore të brendshme të Himarës”.
“Këto masa janë ndërmarrë në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik dhe synojnë përmirësimin e qarkullimit, veçanërisht gjatë muajve të verës kur Himara përballet me një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve dhe automjeteve”, tha Tavo.
Sipas tij, ndryshimet synojnë lehtësimin e qarkullimit gjatë sezonit turistik, rritjen e sigurisë rrugore, uljen e trafikut dhe përmirësimin e aksesit në zonat urbane.
Himara është një prej destinacioneve më të kërkuara turistike të bregdetit shqiptar, duke tërhequr çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj. Për këtë arsye, menaxhimi i trafikut, organizimi i hapësirave publike dhe garantimi i një lëvizjeje sa më të sigurt janë ndër prioritetet kryesore të bashkisë gjatë sezonit veror.
Bashkia Himarë vlerëson se zbatimi i skemës së re të qarkullimit do të ndikojë në një lëvizje më të rregullt të automjeteve dhe në krijimin e një përvoje më të mirë si për banorët, ashtu edhe për turistët që zgjedhin këtë zonë bregdetare për pushime.(Klodi SARAÇINI)///


ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI