SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Historia e komunitetit çam në plazhin e Durrësit

Nga Gëzim KABASHI

Plazhi i Durrësit po mbush një shekull jetë, që atëherë kur u ndërtuan vilat e para të tregtarëve në bregdet. Ndërkaq, 500 metra më tej, në anën tjetër të rrugës automobilistike drejt Kavajës, në fund të Luftës së Dytë Botërore u vendosën çamët e dëbuar nga trojet e tyre në Greqinë e Veriut.

Sot e kësaj dite ata mbeten dëshmitarët e drejtpërdrejtë të zhvillimit të plazhit më të madh të vendit, dhe në të njejtën kohë edhe përfaqësues të mbijetesës së  komunitetit të çamëve, që edhe sot vazhdon të banojë vetëm pak kilometra larg qytetit të lashtë.

“Unë kam qenë 12 vjeç, kur familja ime u  vendos në këtë territor, një ranishte dunash, ku mbizotëronte bimësia e  gjineshtrave – tha për BIRN prof. Hajredin Isufi, i cili sapo ka festuar 91-vjetorin e lindjes.

“Ishte viti 1944, dhe një pjesë e familjes time, pas genocidit grek u shpërngul nga Çamëria drejt Sarandës me barkat e himariotëve, ndërsa babai me disa bagëti mbërriti nga malet mes një mijë vështirësish”, kujtoi ai.

Në tregimin e prof Hajredinit, bëjnë pjesë kujtimet e hidhura kur nëna nuk kishte bukë ti ushqente, apo kur prindët ngjiteshin në pyllin mbi Shkëmbin e Kavajës për të prerë dru, me të cilat fitoheshin pak lekë më shumë.

Sipas tij, ende pa një status si banorë të Shqipërisë, çamët u kujdesën që të instaloheshin në zonat bregdetare, në Vlorë, në Fier apo në Durrës, ku mendonin se jetesa e tyre e re, do të ishte më e lehtë.

Plazhi i Durrësit ishte krejt i shkretë dhe rreth 100 familje çame fillimisht zunë vend në vilat e braktisura të bregdetit, të ndërtuara në kohën e monarkisë.

“Shteti nuk na pengoi, pasi ne ende konsideroheshim refugjatë për shkak të marrëdhënieve plot të papritura mes Shqipërisë dhe Greqisë. Shifra e deklaruar e të dëbuarve nga Çamëria, arrinte në 23-25 mijë vetë, por ajo asnjëherë nuk u zyrtarizua – tha studiuesi 91-vjeçar.

“Ne u quajtëm shqiptarë, vetëm në vitin 1953, kur shteti na pajisi me pasaporta – sjell në  mendje Hajredin Isufi.

Në kushtet e persekutimit të vazhduar dhe të heshtur të shtetit, Çamët e plazhit u lidhën fort me njëri tjetrin. “Nëna dhe babai im janë takuar rastësisht në spital, për shkak të një aksidenti. Brenda 24 orësh gjyshërit e mij vendosën ti martojnë të rinjtë, më shumë për arsye mbijetese, se sa për lumturi familjare – tregon për BIRN Hysen Hyseni, 75-vjeç.

“Disa  vjet më vonë babai im u dënua me 8 vjet burg për tentativë arratisjeje, dhe jeta jonë u vështirësua edhe më tej” – kujtoi ai. Edhe tani Ceni, sic e thërrasin të gjithë fqinjët, banon atje ku u lind, në stabilimentin “Hekurudha”, në qendër të plazhit me gjatësi 3,4 km.

error: