SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

HOMAZH. Lamtumirë Artur Zheji!

Nga Eva XHAJANKA

 Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Artur Zheji është ndarë sot nga jeta në moshën 63-vjeçare.

Ai ka ndërruar jetë në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.

Policia e Shtetit në njoftimin zyrtar bëri me diej se “sot, rreth orës 16:10, në afërsi të rrugës “Butrinti”, shtetasi A. Zh., 64 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në një restorant dhe gjatë transportit drejt spitalit me autoambulancë, ka ndërruar jetë”.

Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Për vite me radhë, Zheji do të jepte kontributin e tij si analist, drejtues emisioni, por edhe si editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar.

I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji ishte i biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit.

Zheji u diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Në skenën e Teatrit Kombëtar, u vendos në skenë drama e tij “Raimonda”, përgjatë kohës së diplomimit.

Pas diplomimit, Zheji u zhvendos në Itali ku qëndroi për rreth 10 vite. Aty, ai punoi në “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit, përgjatë kohës së luftës së Kosovës, duke u bërë kështu dhe një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Që prej vitit 2017, ai ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.

Zheji la pas dy vajza dhe një djalë, së bashku me bashkëshorten e tij. Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Taulant Balla ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të publicistit Zheji. “Shumë, shumë i trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme të gazetarit Artur Zheji. U prehsh në paqe mik”, shprehet Balla në rrjetet sociale.

Teatri Kombëtar shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit i cili jo vetëm si gazetar, por edhe publicist dhe dramaturg ka lënë gjurmë në skenën teatrore shqiptare.

“Në krijimtarinë e tij, fjala u bë reflektim i kohës dhe i shoqërisë, duke pasuruar jo vetëm medien dhe debatin publik, por edhe skenën tonë kombëtare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë e artit dhe kulturës sonë. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”, thuhet në mesazhin e Teatrit Kombëtar.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur ngushëllime pas ndarjes së parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji. “Me një karrierë të gjatë dhe të pasur në fushën e publicistikës dhe medias, Zheji u shqua si një nga personalitetet më të respektuar të gazetarisë shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme me analizat, shkrimet dhe kontributin e tij në zhvillimin e mendimit kritik e profesional në vend. Në këtë moment të dhimbshëm, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të tij, duke ndarë me ta dhimbjen për humbjen e një personaliteti të rrallë të medias shqiptare”, thuhet në mesazh.///

error: