Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh se “sot është dita e pedagogëve dhe e studentëve, ndaj le të nisë nga sot një rrugë pa kthim për të drejtat dhe dinjitetin e tyre”.
“Nisja e vitit të ri akademik duhet të ishte një moment gëzimi për kolegët e mi pedagogë dhe për studentët tanë. Fatkeqësisht nuk është kështu! Pedagogët janë në protestë me kërkesat e tyre të drejta dhe realisht të arsyeshme dhe minimaliste. Sot në orën 10:00 protestojnë sërish dhe bojkotojnë mësimin. Ata kërkojnë: rritjen e pagës 30 % këtë vit dhe 20 % vitin e ardhshëm, si parakusht për të vënë sado pak në rrugën e zgjidhjes çështjen e trajtimit dinjitoz të punonjësve të universiteteve, përfshi stafin akademik dhe atë ndihmës”, tha Zhupa.
Po ashtu, sipas saj, “pedagogët kërkojnë rritjen e financimit për kërkimin shkencor; rivendosjen e shtesave mbi risqet për dëmtimin e shëndetit në punë; rritjen e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë; rritjen e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare; rivlerësimin e orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit me seminarin; rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare; pezullimin deri më 2026 i zbatimit të doktoraturave të udhëhequra për kriteret e marrjes së titullit “Profesor’; bërja transparente e buxhetit dhe të ardhurave të universiteteve publike”, tha ajo.
Ndërkohë, sipas Zhupës, studentët janë të harruarit e qeverisjes.
“Që nga viti 2019 e sot çdo ditë e tyre edhe familjeve të tyre ka qenë më e vështirë ekonomikisht, por askush nuk pyet. Atyre dhe familjeve të tyre u është rritur kostoja e qirave të shtëpisë në Tiranë; është rritur kostoja e transportit; është rritur kostoja për t’u ushqyer; është rritur kostoja për t’u veshur; është rritur pagesa e librave, është rritur pagesa e orës së internetit. Çdo faturë ka shkuar dyfish dhe qeveria nuk jep asgjë si paketë ndihmë financiare”, tha Zhupa.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI