Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi reagoi sot lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, duke theksuar se “efektivi i policisë është larguar nga detyra”. Çuçi thekson se “drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht”.
“I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj gazetaren Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë. I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero”, nënvizoi Çuçi.
Çuçi i bëri thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu.
Ndërkohë Policia e Shtetit bën të ditur se në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë pasditen e djeshme me disa gazetarë, në Qafë Mollë, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e policisë Sh.T.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershëm të hetimit administrativ me qëllim sqarimin e rastit.
Policia e Shtetit i konsideron marrëdhëniet me median si prioritare në funksion të mirë-informimit të publikut dhe është e vendosur për të ndëshkuar çdo punonjës police që performon sjellje të pahijshme duke shpërdoruar detyrën në dëm të imazhit të Policisë së Shtetit dhe cënimit të marrëdhënieve me mediet e qytetarët.
Në lidhje me këtë incident reagoi edhe SHÇBA, e cila njofton se ka nisur një inspektim për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë shfaqur sjellje jo etike e konform detyrës.
Ditën e djeshme disa punonjës të policisë kanë patur një sjellje jo korrekte me përfaqësues të medieve, e në veçanti me gazetaren Anila Hoxha gjatë raportimit të një ngjarje kriminale./ATSH///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI