Nga Dritan HILA/
Natën e 21 janarit të 11 viteve më parë Sali Berisha doli dhe deklaroi se viktimat e protestës së thirrur nga PS ishin vrarë nga brenda turmës me çadra pistoletë. Deklarata e tij u mbështet nga mjekët e spitalit ushtarak. Në ambientet e opozitës kishte rënë hija e vdekjes. E dinin shumë mirë që nuk ishte ashtu por nuk e faktonin dot. Të gjithë parashikonin një 22 mars kur do të fillonte represioni i Berishës. Gazetarët në borderonë e Berishës ndërkohë kishin filluar dhe e çonin më tej skenarin duke fajësuar opozitën për agresivitet dhe fajtore në vrasje. Situata parashihej e zymtë për demokracinë shqiptare, ndërkohë që Berisha i kishte zaptuar të gjitha institucionet shqiptare dhe pritej vetëm dhuna.
Filmimet e nxjerra nga Artan Hoxha ku dukej qartas Agim Llupo që qëllonte mbi turmë, kthen rrotën e historisë. Janë shakatë e saj si për shembull në betejën e Midwayt ku një pilot dalloi në momentet e fundit në horizont flotën japoneze që ishte e pambrojtur duke kthyer fatin e luftës me Japoninë; apo kur vrasja e Cezarit shtyu për 200 vjet luftën me partët që do të bëhej pas dy javësh; apo shpëtimi i Moskës pasi Sorge lajmëroi shefin e tij se Japonia nuk do sulmonte. Fati i Edi Ramës ndërroi brenda pesë minutash sikurse ai i Berishës u fundos po ato minuta për të mos u ringritur më dhe damkosur historinë e tij. Stomaku i shqiptarëve është i fortë dhe bluan çdo gjë, por vrasja e katër demonstruesve në bulevard ishte përtej mundësive të tyre.
Më pas e gjitha është histori. Berisha iu dha dërrmën e fundit institucionit të drejtësisë, shkatërroi PD e cila ende është në proces dekompozimi, por mbi të gjitha vrau protestën. Pas 21 janarit shqiptarët nuk kanë bërë më protesta. Shfaqjet e dhunshme të matrikullës partiake që shohim hera-herës në rrugët e qyteteve, tashmë janë nga huliganë profesionistë të atashuar pranë partive. Vrasja e protestës nuk është vetëm faji i Berishës por edhe i socialistëve. Ende nuk kemi të dënuar atë që ka dhënë urdhrin. Ministri i Brendshëm i kohës, Lulzim Basha, nuk thotë asgjë. Fshirësi i serverave është deputet i PD. Ndërkohë Berisha trimërohet duke deklaruar që do vriste edhe më shumë madje edhe shefin e opozitës. Asnjë prokuror nuk e thërret të dëshmojë. Askush nga PS nuk i bën presion prokurorisë për rihapjen e kësaj çështjeje dhe gjetjen e urdhërdhënësit. Ndërkohë pa u zbardhur 21 janari vrasjet politike do të vazhdojnë. Siç ndodhi në 25 prill në Elbasan. Korrupsioni do të vazhdojë sepse ne zgjodhëm president njeriun që u kap me zë e figurë duke vjedhur dhe etiketuar protestuesit e sapo përgjakur si kokë palarë dhe ende nuk kemi bërë mea culpa por kemi bërë sikur kemi harruar. Ndaj janari është muaji i turpeve tona.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI