Përmeti i cilësuar si “Qyteti i trëndafilave” vijon të tërheqë çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj. Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha tha sot për ATSH-në se “viti 2020 ka qenë i vështirë jo vetëm për Përmetin për shkak të pandemisë COVID-19, ndërsa në 2021 numri i turisteve ishte i kënaqshëm. Ndërsa në janar-qershor të këtij viti Përmeti është vizituar nga 37 mijë turistë vendas e të huaj. Kryesisht turistët janë nga Gjermania, Zvicra, Çekia, Polonia, Austria, Franca si dhe shqiptarë nga të gjitha trevat”.


Bashkia e Përmetit i ka dhënë një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës së këtij qyteti, ku bashkë me investimet e qeverisë ai tashmë po kthehet në destinacionin e turistëve në çdo stinë.

Kryebashkiakja Hoxha shprehet se “gjatë këtij viti si pikë të fortë kemi jo vetëm shtimin e strukturave akomoduese, por edhe shërbimet e përmirësuara. Nëse e krahasoj me vitet e tjera kishte struktura vetëm në qytet, ndërsa sot janë shtrirë në fshatra e shumë zona”. “Aktualisht kemi infrastrukturë më të përmirësuar, tek investimet e bëra në rrugën nacionale, ku sapo ka përfunduar rruga Përmet-Çarshovë, ose përmirësimi i rrugëve rurale”, shtoi Hoxha. Kryebashkiakja Hoxha shprehet se këtë vit turistët po vizitojnë edhe Muzeun vendor, në të cilin janë rikonceptuar pavijone si ai i Arkeologjisë, Artizanatit, i Luftës, pavijoni i Vëllezërve Frashëri dhe pavijoni i Odhise Paskalit”.
“Në qytetin e Përmetit këtë sezon turistik janë shtuar edhe aktivitetet kulturore, të cilat kanë mbledhur një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj”, tha Hoxha.
Një fluks i lartë vizitorësh janë vënë re gjatë këtij sezoni veror edhe në Ujërat Termale të Bënjës, ndërsa të apasionuarit pas natyrës së egër dhe që pëlqejnë aventurën, adrenalinën dhe sportet në natyrë kanë shijuar edhe rafting dhe hipizmin. I vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, qyteti shtrihet thuajse tërësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhembelit. Përmeti ruan në territorin e tij destinacione të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.
Në këtë rajon gjenden parqe të mëdha natyrore, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.
Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë. Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan. Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit. Në pjesën lindore të tij ndodhen ujërat termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave. Ujërat Termale të Bënjës çdo vit tërheqin mijëra vizitorë vendas e të huaj./ATSH//
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade