Nga Blerim KORE
Në këto ditë vere kalaja e Gjirokastrës po mirëpret vizitorë të ndryshëm.
Janë mbi 35 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët përgjatë këtij viti kanë vizituar kështjellën e gurtë.
Krahas vlerave historike kështjella e Argjiros ofron për turistët edhe një pamje mbresëlënëse të qytetit të gurtë.
Mysafirë në kështjellë

Vizitorët që mbërrijnë gjatë këtyre ditëve korriku në kalanë e gurtë janë vendas po nuk mungojnë edhe vizitorët e huaj.
“Është hera e dytë që vizitoj Kalanë e gurtë. Edhe vitin e kaluar kam qenë në Gjirokastër. Është një qytet i veçantë dhe kalaja është një prej pikave më tërheqëse”, thotë një i ri nga qyteti i Tiranës, i cili me një grup bashkëmoshatarësh po kalojnë fundjavën në jug të Shqipërisë. “
Kalaja është me të vërtetë e veçantë. Një monument tërheqës me shumë vlera”, shprehet Anisa që së bashku me familjen e saj po udhëton nga Elbasani për një vizitë turistike në zonën e Gjirokastrës. Por ka edhe nga ata turistë vendas të cilët vizitojnë për herë të parë kështjellën e Argjiros, duke ngelur të impresionuar nga vlerat e saj.
“Do të më ngelet në kujtesë kjo vizitë e parë në kështjellën e gurtë të Gjirokastrës”, shprehet Andi nga Korça. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve vere në kështjellën e gurtë nuk mungojnë edhe turistët e huaj.
“Jam nga Gjermania. Është hera e dytë që vizitoj kështjellën por falë bukurisë së saj gjithmonë vizitat këtu janë tërheqëse”, shprehet një tjetër vizitor.
Turistët i japin gjallëri mjediseve të kalasë së gurtë. Gjermanë, italianë, grekë, maqedonas, madje edhe turistë nga SHBA, Kanadaja dhe Australia e largët udhëtojnë për të vizituar Gjirokastrën dhe kështjellën e saj, duke qenë pjesë e sezonit turistik në qytetin e gurtë këtë verë.
Punimet mirëmbajtëse zgjerojnë hartën e vizitueshmërisë
Këtë sezon veror kalaja e gurtë ofron me shumë pika të vizitueshme për turistët. Falë ndërhyrjeve mirëmbajtëse dhe restauruese, të cilat vazhdojnë ende, është bërë e mundur evidentimi i vlerave të reja historike dhe ndërtimore të këtij monumenti.
“Ne kemi punuar për pastrimin e bimësisë dhe vegjetacionit në disa zona të kështjellës, duke bërë të mundur jo vetëm lehtësimin e vizitës për turistë por edhe evidentimin e vlerave të këtij monumenti”, shprehen specialistet e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare.
Punë mirëmbajtëse e tyre dhe strukturave të bashkisë Gjirokastër ka bërë të mundur evidentimin e disa dëshmive me vlera historike dhe ndërtimore të kështjellës.Pastrimi nga bimësia i mureve të gurta apo rehabilitimi i zonës në brendësi të kështjellës, krahas dëshmive historike të reja përcjell edhe vlera estetike për syrin e turistëve.
“Tashmë turistët kanë më shumë mundësi për të vizituara Kalanë dhe vlerat e saj”, shprehen guidat turistike.
“Porsa vizituam kështjellën e Gjirokastrës, është një monument me bukuri të veçantë. Na tërhoqi vëmendjen zona e Kullës së Sahatit, për të cilën kam lexuar edhe në guidat turistike për kalanë”, thotë Elga, turiste nga Bjellorusia.
“Është vizita ime e parë në Gjirokastër. Këtu në kala më duket i veçantë ky mjedis ku janë ekspozuar edhe disa armë të mesjetës”, thotë Mario nga Italia. Ndërkohë edhe rruga e kalldrëmtë që të çon në këtë monument është e pastruar dhe mirëmbajtur.
“Përgjatë verës ne do të kujdesemi vazhdimisht për pastrimin e rrugëve të kalldrëmta që të çojnë në kalanë e gurtë, mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit publik, etj”, pohojnë përfaqësuesit e Bashkisë Gjirokastër.
Pak histori
Kalaja, si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe Kështjellë në vitin 1336. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.
Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e kalasë pret me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare, në kuadër të organizimit të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.
Kalaja e gurtë është një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e UNESCO-s.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI