Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sjell në kujtesë një nga monumentet ku ia vlen të ndalohet për ta parë. Bëhet fjalë për Urën e Nivanit në Gjirokastër. Ura gjendet në zonën e Zagorisë. Ajo cilësohet si “Monument i Trashëgimisë Kulturore” nën mbrojtje.


Ura e Nivanit u ndërtua nga Ali pashë Tepelena, në fillim të shekullit XIX. Ura ishte pjesë e rrugës së karvaneve tregtare që lidhte zonën e Gjirokastrës me atë të Përmetit.
Ura është e përbërë nga dy harqe: harku kryesor mbi rrjedhën e lumit dhe një hark më i vogël, mbi tokë, në njërën nga këmbët e urës. Këmba tjetër e urës ka një konstruksion masiv pa hapësira drite. Ura ka një gjatësi prej 34 m dhe është e gjerë 3,15 m. Ura është e mbuluar me kalldrëm.
Kjo urë i dha jetë në fillim të shek. XIX komunikimit jo vetëm tregtar, por edhe shpirtëror mes Gjirokastrës dhe Përmetit. Karvanet që vinin nga Gjirokastra kalonin mbi urën e Nivanit ndaleshin më pas në Manastirin e Nivanit, ndërtim i vitit 1777, vijonte në Nivan, Sheper në Qafën e Dhëmbelit e më pas në Përmet.

Sot, kjo urë përveç funksionit rajonal për kalimin e kafshëve dhe të njerëzve, është kthyer në objekt të vizitueshëm për historinë, kuriozitetin dhe arkitekturën e veçantë të saj.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI