Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, me anë të një postimi në rrjetet sociale, tërhoqi vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj mbi kalanë e Libohovës, e cila nuk ka famën e asaj të Gjirokastrës, por gjithsesi ia vlen të vizitohet.
Kalaja e Libohovës ngrihet mbi një plan shkëmbor në lindje të qytetit të Libohovës dhe ka planimetri thuajse katërkëndëshe 70X80m. Ali pashë Tepelena urdhëroi ndërtimin e saj, për t’ia dhuruar më pas motrës së tij, Shanisha, e martuar në Libohovë.

Kalaja e Libohovës u ndërtua në vitet 1796–1798, pra i përket fundshekullit të 18-të. Ajo është e pozicionuar në një pikë dominuese mbi qytetin e sotëm të Libohovës dhe dikur kontrollonte gjithë luginën e Drinos.
Brenda kalasë, që sot është e zbrazët, ndodhej rezidenca feudale. Është objekt i vizitueshëm dhe me interes për turistët e apasionuar pas historisë.
Kalaja ka katër kulla shumëkëndëshe nëpër këndet e saj dhe është një fortesë me përmasa të konsiderueshme.
Zona ku shtrihet qyteti ndahet nga disa përrenj në zona të veçanta shkëmbore, nga ku burojnë ujërat e ftohta të burimeve të Zhepes, të Lozes etj. Në qendër të qytetit ndodhet Rrapi i Libohovës me një vjetërsi mbi 500-vjeçare, një monument i rrallë i natyrës, i kthyer edhe në simbol të qytetit. Pranë xhamisë së qytetit ndodhet edhe varreza osmane në të cilën është dhe varri i motrës së Pashait.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI