Shqipëria fitoi 0-2 në transfertë ndaj San Marinos, me gola të Rey Manajt dhe Myrto Uzunit.
Trajneri Edi Reja kishte vendosur të bënte shumë ndryshime në formacionin, krahasuar me ndeshjen e humbur 0-2 në Tiranë ndaj Anglisë. Një zëvendësim ishte i detyruar vetëm pak minuta para nisjes së takimit, për shkak të një problemi muskulor të Memushajt, vendin e të cilit e zuri Laçi.
Kombëtarja shqiptare zbriti në fushë me rreshtimin 3-5-2, me Strakoshën në portë, Ajetin, Gjimshitin dhe Veselin në mbrojtje, Hysaj e Lenjani në krahët e mesfushës, , Bare, Ramadani e Laçi në brendësi të repartit të mesëm dhe në vijën e parë të sulmit Broja e Manaj.
45 minutat e para nuk sollën ndryshim rezultati megjithëse Kombëtarja arriti të dominonte disi lojën
Shqipëria e nisi pjesën e dytë me dy ndryshime në formacion: Uzuni mori vendin e Laçit, ndërsa Odise Roshi zëvendësoi Brojën.
Në minutën e 63-të Rey Manaj ia doli të shënojë me kokë mes një grumbulli të madh futbollistësh, pas krosimit të saktë të Uzunit, duke çuar Kombëtaren në avantazh 0-1.
Goli i çliroi psikologjikisht kuqezinjtë, që solli edhe golin e dytë, i cili erdhi në minutën e 85-të, teksa në zhvillimet e një këndoreje, pas traversës me kokë të Gjimshitit, goditjen e Veselit e devijoi në momentin e fundit drejt rrjetës Myrto Uzuni, 0-2 për Kombëtaren shqiptare.
Kjo fitore e ngjit Shqipërinë në vendin e tretë në grupin I me gjashtë pikë, një më pak se Hungaria dhe dy më shumë se Polonia. Grupi I kryesohet me 9 pikë nga Anglia, më pas Hungaria me 7 pikë, Shqipëria me 6, Polonia 4 pikë dhe Andorra me San Marinon secila me nga 0 pikë. ///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI