SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kontrolle intensive gjatë sezonit veror në Vlorë e Sarandë, procedohen 21 drejtues mjetesh

Gajtë kontrolleve intensive gjatë sezonit veror në Vlorë e Sarandë, u proceduan 21 drejtues mjetesh.

Policia Rrugore e Vlorës dhe Sarandës po vijon monitorimin intensiv të qarkullimit në të gjitha akset rrugore të qarkut, me përdorimin e dronëve, radarëve dhe automjeteve inteligjente, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve gjatë sezonit veror.

Kontrollet janë përqendruar veçanërisht te drejtuesit e mjeteve që drejtojnë nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi, tejkalojnë shpejtësinë e lejuar apo kryejnë manovra të rrezikshme, në kushtet e fluksit të shtuar të automjeteve në akset e qarkut.

Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve, janë arrestuar dhe proceduar penalisht 21 drejtues mjetesh. Konkretisht, 17 persona janë arrestuar për drejtim të mjetit në gjendje të dehur, një për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe largim nga vendi i aksidentit me pasojë, ndërsa tre të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Gjatë së njëjtës periudhë janë vendosur 1124 masa administrative për tejkalim të kufijve të shpejtësisë, 593 për mospërdorimin e kaskës mbrojtëse, 56 për parakalime të gabuara dhe 98 për mospërdorimin e rripit të sigurimit.

Policia Rrugore ka vendosur gjithashtu 31 masa për përdorimin e xhamave të zinj, 5 për mosdhënie përparësie këmbësorëve, 32 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 18 për pozicionim të gabuar të mjetit.

Në kuadër të kontrolleve janë evidentuar edhe 47 raste të drejtimit të mjetit në efektin e alkoolit, ndërsa 1248 masa administrative janë vendosur për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut Vlorë, me përdorimin e mjeteve dhe pajisjeve bashkëkohore të monitorimit, në funksion të menaxhimit të trafikut dhe parandalimit të aksidenteve rrugore.

Policia Rrugore apelon drejtuesit e mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, veçanërisht kufijtë e shpejtësisë, përdorimin e rripit dhe kaskës mbrojtëse, si dhe të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit.(Maela MARINI)///

error: