Më 20 maj 1901 lindi në Shkodër Ernest Koliqi.
Profili i tij poliedrik ka ende nevojë për një studim gjithëpërfshirës, pasi tek Koliqi gjejmë anëtarin e shoqërive patriotike, shkrimtarin, gazetarin, përkthyesin, botuesin, mësuesin, drejtuesin e Institutit të Studimeve Shqiptare, funksionarin publik e politikanin.
Pseudonimet e tij në shtypin e kohës (Borizani, Hilushi), do të joshnin kryesisht lexuesin e viteve 1920-1940 me disa punime që shënonin kulmin e prozës shqiptare. Teza e tij e diplomimit, ”Epika popullore shqiptare”, do të ndikonte tek ai edhe në krijimin e figuracioneve pasqyrues të jetës tonë, nga të cilat u frymëzuan vepra, si: “Hija e Maleve”, “Tregtar flamujsh” dhe “Pasqyrat e Narçizit”.
Edhe pse shërbeu si ministër i Arsimit në periudhën e pushtimit fashist, Koliqi arriti të ndërmarrë hapa të guximshëm për kohën, duke çelur në “tokat e lirueme” (territoret ku flitej shqip) një numër të madh shkollash dhe duke mundësuar dërgimin për herë të parë të një grupi mësuesish shqiptarë në këto troje.
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Koliqi jetoi në Romë ku drejtoi revistën “Shejzat” si dhe katedrën e Gjuhës Shqipe, mbi bazën e së cilës u ngrit edhe Instituti i Studimeve Shqiptare. Në vitet `60 nisi përkthimin e “Lahutës së Malcis” në italisht dhe punoi edhe për të tjera vepra në mënyrë që të huajt të njihnin letërsinë shqipe.(Edlira Ruzi).///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI