Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi aktorin Agim Qirjaqi, në kuadër të “Muajit të Teatrit”.
“Sot, në ditën e ndarjes së tij nga jeta, kujtojmë aktorin e shkëlqyer, Agim Qirjaqi”, tha Margariti.
Agim Qirjaqi lindi në Kolonjë në vitin 1950. Karrierën si aktor e filloi në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (Profesori), “Lulëkuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fitoi çmimin e parë në Festivalin e 2-të Filmit, më 1977.
Më pas punoi si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik “Dorina” (1980). Gjatë kësaj kohe vazhdoi të punojë intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve tanë. Gjithashtu filloi të japë mësim, mjeshtërinë e aktorit, në Akademinë e Arteve, përvojë të cilën e vazhdoi edhe pas rikthimit në Teatrin Kombëtar, më 1981. Në vitet ’80 interpretoi rregullisht në teatër dhe në film, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë.
Më 1989 largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2-vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. U rikthye në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë. Lista filloi me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit.
Krahas krijimtarisë, angazhohet edhe në veprimtaritë ‘jashtë skene’, si përkthyes dramash (“Fando e Lis” dhe “Këngëtarja tullace”), bashkëpunëtor dhe anëtar i Këshillit Botues të buletinit Teatër, anëtar i bordeve të Studios Alba Film dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit (1992). Më 1996 fitoi titullin “Asistent Profesor”. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.
Qirjaqi u nda nga jeta më 28 mars 2010 në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI