Muzeu Historik Kombëtar kujton sot poetin, gazetarin e ushtarakun Trifon Xhagjika, i cili u bë një nga disidentët e parë letrarë kundër diktaturës komuniste.
Trifon Xhagjika lindi më 29 prill 1932, në Tepelenë. Pas studimeve në Elbasan dhe Tiranë, ai shërbeu si oficer i artilerisë së Ushtrisë Popullore. Gjatë shkollës së mesme, ai u lidh ngushtë me letërsinë përmes studimeve dhe pasionit për poezinë. Krijimet e tij u botuan në revistat kulturore më të njohura të kohës.
Në vitin 1959, botoi vëllimin e parë poetik “Gjurmët”, duke shënuar fillimin e një rruge të guximshme letrare. Fryma e tij rebeluese dhe lirike filloi të tërhiqte vëmendjen, duke e vendosur shpejt në konflikt të hapur me regjimin.
I gjendur nën trysninë e një sistemi që kufizonte mendimin, Xhagjika zgjodhi rrugën e vështirë të disidencës. Mbrojtja e lirisë së fjalës e çoi atë në një konflikt të hapur me regjimin, çka kulmoi me dënimin e tij me vdekje në moshën 31-vjeçare.
Akti i tij i fundit në sallën e gjyqit, recitimi i vargjeve “Atdheu është lakuriq”, mbetet një dëshmi e pathyeshme e dinjitetit njerëzor.
Në vitin 1994, Trifon Xhagjika u nderua me titullin “Martir i Demokracisë”, si vlerësim për jetën dhe veprën e tij të flijuar në emër të lirisë. (Edlira Ruzi)///
Atdheu është lakuriq
Nuk mundem,
…nuk mundem,
nuk mundem.
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
As një degë nuk e këpuste dot.
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër,
po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI