Autoritetet më të larta shtetërore, politika dhe përfaqësues të institucioneve shprehën sot trishtimin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare, gjeniut të letrave shqipe.
Gonxhja: Testament i pasionit dhe talentit të pashoq
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh sot se ndarja nga jeta e të madhit Ismail Kadare është një lajm i trishtë.
Në mesazhin e ngushëllimit, që Gonxhja ndau në rrjetet sociale, shkroi se, Ismail Kadare do të mbetet gjithmonë një testament i pasionit dhe talentit të pashoq, vlerë e trashëgimi e pasur kulturore që përmes rreshtave të tij do jetojë ndër breza.
Ministri i shprehu ngushëllime të sinqerta familjes së gjeniut të letrave, figurës madhore të letërsisë shqiptare që, siç shkroi ministri, bëri jehonë përtej kufijve e anembanë duke na përfaqësuar denjësisht.
Sadushi: Veprat e Kadaresë, trashëgimi e pashlyeshme
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi përcolli mesazhin e tij ndaj humbjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
“Keqardhje e thellë për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, shkrimtarit të jashtëzakonshëm që lartësoi emrin e Shqipërisë, letërsisë dhe të gjuhës shqipe. Një humbje e madhe për kombin shqiptar”, shkroi Sadushi.
Sadushi shton në mesazhin e tij se, kontributi i Kadaresë do të mbetet gjithmonë i vlerësuar dhe se veprat e tij janë një trashëgimi e pashlyeshme për kulturën dhe letërsinë shqiptare, duke frymëzuar dhe influencuar gjenerata të tëra.
Veliaj: Ndër mendjet më të ndritura të letërsisë shqipe dhe botërore
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi shkrimtarin, si një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore
Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj nënvizon se Kadare la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, i shprehu ngushëllime të sinqerta Helenës dhe familjes për këtë humbje të madhe. “Pusho në paqe, i dashur Ismail”, shkroi Veliaj.
Pesë vjet më parë, Bashkia e Tiranës ktheu në një shtëpi-muze, banesën ku jetoi dhe punoi Ismail Kadare, duke e transformuar në një destinacion turistik.
Hasani: Veprat e Kadaresë magjepsën miliona lexues
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehu trishtim për humbjen e Ismail Kadaresë, një figurë monumentale në letërsinë shqiptare dhe evropiane. “Shkëlqimi i tij letrar i kapërceu kufijtë, duke formësuar thellësisht kuptimin e historisë dhe trashëgimisë së Shqipërisë. Veprat e tij magjepsën miliona lexues në mbarë botën, duke e cilësuar padyshim si shkrimtarin më të madh dhe më me ndikim shqiptar të kohës sonë”, shkroi Hasani në rrjetet sociale.
“Në atdhe, kryeveprat e Kadaresë kanë qenë shoqërues të vazhdueshëm për breza, duke shërbyer si fener shprese dhe krenarie në kohëra të errëta dhe më të ndritshme. Mendimi dhe urtësia e tij intelektuale shërbyen si drita udhëzuese, gjithmonë drejt përparimit dhe emancipimit.
Një shqiptar i madh, një kolos i Ballkanit, një evropian i dalluar! Trashëgimia e tij do të vazhdojë të na frymëzojë dhe të na lidhë të gjithëve”, përfundoi Hasani.
Manastirliu: Pusho i qetë mjeshtër i fjalës!
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, falënderoi mjeshtrin e madh të fjalës, Ismail Kadarenë, për pasurinë e jashtëzakonshme që la pas.
“Përmes penës së tij dhe fuqisë së pakrahasueshme të fjalës, Ismail Kadare na dhuroi histori të pavdekshme. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë me ne, duke frymëzuar brezat”, shkroi ministrja Manastirliu.
Peleshi: Shqipëria pa Kadarenë nga sot është më e vogël
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, Ismail Kadare.
“Shqipëria mban sot zi për vdekjen e shkrimtarit të saj me famë botërore Ismail Kadare.
Madhështia e veprës monumentale të Kadaresë, i bën befas të pamjaftueshme e të papërshtatshme të gjitha krahasimet për të përshkruar domethënien e trashëgimisë që ai i la Shqipërisë.
Si shkrimtar i një epoke të vështirë, Kadare do të mbetet përfaqësuesi i një gjenerate krijuesish të talentuar, prodhimtarë e patriotë që i dhanë lëndë etjes sonë kombëtare për emancipim, qytetërim e modernizim.
Kadareja i përket Shqipërisë dhe Shqipëria pa Kadarenë nga sot është më e vogël, më e varfër e më e zbrazët”, u shpreh Peleshi në mesazh.
Çuçi: Kadare, përjetësisht i përbotshëm
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kadaresë ndërsa vlerësoi se “kolosi ynë i mendimit, gjeniu i letrave e mbrojtësi i identitetit europian të shqiptarëve iku në përjetësi”.
“Evropa e bota mbarë humbën një ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne, të përkthyer në mbi 40 gjuhë të ndryshme e të nderuar me çmime prestigjoze. Zor të gjesh fjalë për njeriun e penës dhe mendimtarin që kaq shumë krenarë na bën ne shqiptarëve. Emri dhe vepra që ai ka lënë pas e bëjnë Ismail Kadarenë të pavdekshëm e përjetësisht të përbotshëm. Prehu në paqe shkrimtari ynë i madh”, u shpreh Çuçi.
TKOB: Kadare ishte mik i artit, i fjalës, i letrave, i operës.
Teatri Kombëtar i Operas e Baletit, në mesazhin e tij ngushëllues, shkruan se Kadare ishte nga ata artistë që veçse vdekja nuk i shuan. TKOB kujton se Kadare shkroi edhe libretin për dy vepra të rëndësishme të repertorit shqiptar. Baleti “Tokë e pamposhtur” në vitin 1977, i cili në vitin 2009 u rivendos me të njëjtin titull të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe baleti i dytë “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” në vitin 1986, e cila u rivendos sërish në skenën e TKOB-së në maj të vitit 2024. Këto dy vepra erdhën si bashkëpunim me kolosët e muzikës Nikolla Zoraqi dhe Feim Ibrahimi, nën koreografinë e mjeshtrit koreograf Agron Aliaj.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë: Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe në 7 dekada.
Ikja e tij është e pangushëllueshme për Akademinë e Shkencave, për letërsinë shqipe dhe ekuilibret e saj, për gjuhën shqipe dhe folësit e saj, për letërsinë europiane e botërore. ASHSH shkruan se letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha.
Akademia e Shkencave shkruan në nekrologjinë e Kadaresë se shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur, me hapjen e katedrave dhe njësive të reja që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi.///
ME SHUME LAJME
Zbardhet dinamika e vrasjes në Sarandë, shpallet në kërkim autori dhe pesë të tjerë
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”
Një karrocë fëmijësh për kryeministrat