Personalitete të larta të politikës, artit e kulturës shprehën sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ikonës së humorit shqiptar, Koço Devole, i cili humbi betejën me COVID-19.Presidenti Ilir Meta tha se “humori dhe arti shqiptar padyshim humbën një prej kolosëve dhe figurave më të dashura, i cili do të na mungojë të gjithëve”. “Sa shumë trishtim nga ky lajm! Sikur të na thoje se bëre shaka, nga ato të kripurat, që ti na bëje gjithmonë!Familjes Devole, të afërmve dhe gjithë artistëve ju shpreh ngushëllimet më të ndjera!Do të kujtojmë gjithmonë duke qeshur i dashur Koço! U prehsh në paqe”, tha Meta.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se “Shqipëria humbi një artist universal”. “Koço Devole ishte një artist universal dhe me krijimtari të gjatë: aktor, regjizor, prezantues spektaklesh, skenarist dhe karrikaturist. Në të gjitha gjinitë e artit që krijoi, ai i mbeti besnik humorit. Nëpërmjet humorit të tij origjinal, fshikulloi të keqen dhe negativitetet e shoqërisë. Koço do të mbahet mend gjatë për kontributet e tij për të lartësuar të mirën mbi të keqen, të bukurën mbi të shëmtuarën, gëzimin mbi mërzinë”, tha Ruçi.
Kryeministri Edi Rama, duke ndarë edhe një foto të artistit të madh të humorit tha: “Lamtumirë i shtrenjti Koço! U prehsh në paqe”.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistit të madh, Koço Devole.
“Ngushëllimet e mija për familjen, të afërmit dhe miqtë e aktorit të madh të humorit shqiptar Koço Devole që humbi jetën tragjikisht në betejë me COVID-19. U prehtë në paqe”, tha Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shprehu ngushëllimet familjes për ndarjen nga jeta të të ikonës së humorit shqiptar, Koço Devole.
“Shumë e hidhur ndarja e beftë nga jeta e aktorit fort të dashur, Koço Devole. Ai ishte emblema e humorit shqiptar – na la pas shumë e shumë personazhe, me të cilët qeshim edhe sot. U prehsh në paqe! Ngushëllime familjes,” shprehet Veliaj.
Aktorja e njohur Marjana Kondi e prekur ka reaguar pas ndarjes nga jeta të kolegut të saj, Koço Devole. Ajo shkruan se ai u largua nga kjo botë shumë shpejt.
“U largove koleg u largove shpejt! Mbas teje aty dhe ne te vendi pa gënjeshtra! Lamtumirë”, shkruan ajo.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade