SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Nga energjia te siguria ushqimore dhe investimet, Rama rendit përfitimet e “Ballkanit të hapur”

 Kryeministri Edi Rama, gjatë seancës publike të Samitit të “Ballkanit të Hapur”, ku sot janë përsëri të pranishëm Mali i Zi e Bosnja-Hercegovina, si edhe janë bashkuar me statusin e të ftuarit edhe Turqia e Hungaria, renditi disa nga përfitimet që sjell kjo nismë për vendet pjesëmarrëse. “Sot nuk jemi këtu thjesht për të celebruar verërat dhe ushqimin e rajonit dhe për të afruar më shumë njerëzit hap pas hapi, por jemi këtu në samitin e dytë që zhvillohet në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe jemi këtu për të marrë disa hapa që nisen edhe nga ky kontekst”, tha Kryeministri.

Rama theksoi se nga lufta në Ukrainë vendet u përballën me ankthin e furnizimit me grurë, drithëra dhe produkte ushqimore.

“Pjesë e kësaj situate kaq shqetësuese ishte edhe Shqipëria sepse importuesit tanë të drithërave kishin kontrata me prodhuesit serb në një kontekst kur edhe Serbia bllokoi çdo eksport. Ishte ‘Ballkani i hapur’ dhe kjo lidhje gjithmonë e më solide mes nesh si pjesë e ‘Ballkanit të hapur’ që i çliroi menjëherë kontratat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Këtu nuk flasim për gjëra simbolike, as për politikë, por për ushqim, për bukë, ushqimin bazë të popujve. A do të ishte e mundur kjo nëse do të ishim në rrugën e konfliktit permanent që trashëguam nga e kaluara? Nuk do të kishte se si të ishte e mundur”, tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se nuk do të ishte e mundur as që sot të nënshkruhej një marrëveshje për sigurinë ushqimore mes vendeve tona për të ecur më tutje me krijimin e rezervave ushqimore dhe magazinimin duke bashkuar forcat për të vënë në dispozicion të gjitha gjërat që ne kemi.

“A do të ishte e mundur sot që ne të hidhnim një hap tjetër për sigurinë energjetike? Në samitin e kaluar kemi krijuar një grup të përbashkët për këtë, ndërkohë që furnizimi me energji është problem botëror dhe buxhetet tona kanë hyrë në rrugë hemorragjike për të garantuar energjinë, ne do të bashkojmë forcat dhe çfarë e ka Serbia dhe Maqedonia e Veriut ta ketë edhe Shqipëria dhe anasjelltas. Ne e dimë që Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë të bazuara në energjinë termo dhe ne në hidro. Kush do ta imagjinonte që sot për t’i ardhur në ndihmë vetes duke ndihmuar tjetrin, ne mund të nënshkruajmë marrëveshje që na japin mundësi të shfrytëzojmë potencialet termo dhe ne të marrim më shumë energji”, shtoi Rama.

Po ashtu kryeministri theksoi se “kemi rënë dakord të krijojmë një sinergji për të shfrytëzuar eksperiencat tona për thithjen e investimeve dhe në funksion të ofrimit të hapësirës së ‘Ballkanit të hapur’ edhe për investitorët”.

“Kush mund ta imagjinonte se ne do të kishim kapacitete të reja operacionale për të përballuar emergjencat. Sot e ne po i krijojmë këto kapacitete dhe po ecim bashkërisht”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “faktet dhe shifrat përtej fjalëve, flasin vet”.

“Mjafton të shikoni, jo shumë, por 7 muajt e fundit çfarë ka ndodhur me vëllimin tregtar mes tre vendeve. Mjafton të shikojmë sa është rritur eksporti i produkteve bujqësore dhe i fertilizatorëve nga Shqipëria drejt Serbisë apo Maqedonisë së Veriut. Mjaftojnë të shohim sa janë rritur flukset për të kuptuar se çfarë kohe dhe sa shumë vite kemi humbur dhe se çfarë potenciali të madh ka akoma ndërkohë që po t’i shohim shifrat, ato janë ende krejt qesharake në raport me çfarë duhet të jenë, por ama janë jashtëzakonisht inkurajuese në raport me çfarë ishin, që ishin fare modeste”, tha ai.

Të gjitha këto, sipas kryeministrit, “lidhen me njerëzit, fermerët, importuesit, eksportuesit, konsumatorët, qytetarët”.

“Nuk lidhen me mua, as me presidentin e Serbisë, as me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe as me të tjerët. Ne nuk kemi shpikur rrotën. Ne thjesht modestisht kemi marrë përsipër të marrim shembullin e suksesit të të tjerëve që kanë kaluar nga rrugët e konflikteve, kanë kaluar nga rrugët e luftërave, kanë kaluar nga  rrugët e urrejtjeve, kanë kaluar nga rrugët e izolimit prej njëri-tjetrit dhe në fund kanë vendosur të bashkëpunojnë si banorë të së njëjtës lagje. Kjo është lagja jonë. Një lagje e cila ka kaq shumë probleme të trashëguara dhe e cila ka trashëguar edhe një prapambetje kronike me të cilën ne duam të luftojmë deri në fund së bashku”, shtoi ai./atsh///

error: