SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Nis votimi për zgjedhjet parlamentare

Në Shqipëri ka nisur sot votimi për zgjedhjet e 11-ta parlamentare. Janë 5,225 qendra votimi në të gjithë vendin të cilat do të mbyllen në orën 19:00.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme do të votojnë  3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, nga të cilët 114,642 të rinj do të votojnë për herë të parë.

Gjithashtu, edhe 3 027 persona, të dënuar dhe të paraburgosur pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në 21 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale.

Në këtë proces zgjedhor, për herë të parë u bë e mundur përfshirja e emigrantëve shqiptarë në mënyrë që ata të ushtronin të drejtën e votës përmes postës nga shteti ku kanë vendqëndrimin pa pasur detyrim të vijnë në Shqipëri.

Në zgjedhjet e sotme parlamentare do të kenë mundësi të votojnë edhe ata qytetarë të cilëve u kanë skaduar dokumentet e identifikimit.

Në total janë prodhuar 3 534 792 fletëvotimi për zgjedhësit brenda vendit duke i shtuar 2% mbi numrin e zgjedhësve.

Për këto zgjedhje janë regjistruar 53 parti politike si subjekte zgjedhore, mes tyre dhe disa parti të reja dhe 3 koalicione.

Procesi i votimit si dhe më pas edhe i numërimit do të monitorohet nga vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë, vendas dhe të huaj.

Janë 5316 punonjës policie dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve. Me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.(Klodi SARAÇINI)///

error: