SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Nuk raportuan ndërtime pa leje, Prokuroria e Sarandës procedim penal për shefin e komisariatit dhe 3 specialistë

 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka regjistruar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë”, në ngarkim të disa punonjësve të Policisë së Sarandës.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se të proceduarit janë: G.B., me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Sarandë; A.D., specialist i seksionit për krimet; A.I., specialist i seksionit për krimet; si dhe R.Ç., ndihmës specialist i policimit në komunitet.

“Nga provat e administruara deri më sot, prej 2792 fletësh, rezultuan disa objekte të ndërtuara për të cilat subjektet nuk janë pajisur me leje ndërtimi nga organet kompetente, objekte të cilat nuk janë evidentuar nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Sarandë, duke u lejuar vijimi i ndërtimeve në disa raste deri në përfundimin e plotë të tyre”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Sarandë cilëson se “nga provat e mbledhura rezulton se në disa raste janë konstatuar ndërtime pa leje, të cilat nuk janë evidentuar apo ndërprerë nga strukturat përgjegjëse të Komisariatit të Policisë Sarandë, duke lejuar vijimin dhe përfundimin e tyre”.

Prokuroria thekson se strukturat e policisë kanë detyrim ligjor për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë e paligjshme në territor, përfshirë edhe shkeljet që lidhen me ndërtimet pa leje dhe cenimin e rendit publik.

Nga ana Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijojnë hetimet për identifikimin e çdo rasti, dokumentimin e plotë të faktit penal dhe individualizimin e përgjegjësisë të çdo punonjësi të Komisariatit të Policisë Sarandë por dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës.(Emira ISUFAJ)///

error: