Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se ligji për “Zonat e mbrojtura”, i votuar nga mazhoranca socialiste është antikushtetues dhe duhet rrëzuar.
Në një deklaratë për mediet nga Kuvendi, Zhupa tha se ka depozituar projektligjin për shfuqizimim e menjëhershëm të ligjit dhe rikthimin e standardeve të mbrojtjes së zonave të mbrojtura në përputhje me Kushtetutën, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, konventat ndërkombëtare dhe standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore si dhe zbatimin e kërkesës së Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.
“Për herë të parë, edhe raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian ka kërkuar shprehimisht shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. Në pikën 46 të raportit theksohet se këto ndryshime “lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore”, shpjegoi Zhupa.
Deputetja Zhupa u shpreh se ky ligj është kundërshtuar nga PD në komisione, në seancë plenare është bashkuar me protestat dhe dëgjesat e shumta që ka bërë shoqëria civile. “Më pas unë bashkë me firmat e deputetëve opozitarë e kam dërguar në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për ta rrëzuar kjo gjykatë”, tha ajo.
Më tej Zhupa tha se ky ligj nuk është për interesin publik, ai dëmton drejtpërdrejt zonat e mbrojtura duke dëmtuar pasurinë natyrore kombëtare si dhe shkel të gjitha standardet e vendosura nga Konventa Ndërkombëtare, por edhe nga vetë BE që kërkojnë politika për mbrojtjen e biodiversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Zhupa vuri në dukje se qeveria shqiptare ka zgjedhur që nëpërmjet këtij ligji të mos ketë më asnjë cep të Shqipërisë në të cilën nuk mund të ndërtohet për interesa të oligarkëve.
“Ky ligj është thembra e Akilit, me këtë ligj lidhen edhe ligje të tjera që kanë vetëm një qëllim dhënien e Shqipërisë si një plaçkë për t’u marrë dhe ndërtuar nga kushdo klient i pushtetit”, theksoi Zhupa.
Deputetja e PD-së Zhupa tha se nëse ligji “Për Zonat e Mbrojtura” i 2024 rrëzohet, ka garanci që dhe Paketa e Maleve nuk do të zbatohet në zona të mbrojtura.
“Ndërkohë që Bashkimi Europian forcon politikat për mbrojtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, qeveria shqiptare ka zgjedhur të liberalizojë ndërtimet dhe të favorizojë interesa klienteliste në dëm të mjedisit. Ky ligj praktikisht zhvesh nga mbrojtja reale zonat e mbrojtura dhe i kthen ato në hapësira për investime strategjike sipas interesave private”, vuri në dukje Zhupa duke sjellë si shembull precedentin e Parkut Kombëtar të Butrintit që, sipas saj, tregoi qartë orientimin e qeverisë për të deleguar dhe privatizuar menaxhimin e pasurive publike kombëtare.
“Ndryshimet e vitit 2024 e thellojnë këtë model duke lejuar ndërhyrje masive në territore që duhet të gëzojnë mbrojtje maksimale”, tha Zhupa duke informuar edhe për pikat ku ligji bie ndesh me Kushtetutën.(Klodi SARAÇINI)
ME SHUME LAJME
Nuk raportuan ndërtime pa leje, Prokuroria e Sarandës procedim penal për shefin e komisariatit dhe 3 specialistë
Sarandë. Hetimet për ndërtimet pa leje, Lamallari: Mesazhi i qartë për çdo punonjës policie që shkel ligjin
Aksident në aksin rrugor Sarandë-Delvinë.