SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

OPTIKË. I plotfuqishmi mbi tokë…

Nga Lutfi DERVISHI

Policia ka një problem serioz me dhunën.

Jo me përdorimin e forcës së ligjshme, por me mungesën e dallimit mes forcës dhe dhunës.

Aty ku kërkohet përmbajtje, shfaq agresion. Aty ku kërkohet neutralizim proporcional, shpërthen brutaliteti.

Dhunë në rrugë. Dhunë në makinat e policisë. Dhunë në dhomat e izolimit.

Dhe kjo nuk është e rastësishme. Është simptomë e një sistemi që prodhon dhunë, në vend që ta parandalojë atë.

Pse ndodh kjo?

Sepse shkollimi është i dobët.

Sepse përgatitja profesionale dhe psikologjike është minimale.

Sepse nuk ka ndëshkim nga zinxhiri komandues.

Sepse drejtësia mbyll sytë.

Sepse shumë policë e ndiejnë veten të paprekshëm, madje edhe mbi ligjin.

Ne trashëgojmë një term pervers nga diktatura: i plotfuqishmi i lagjes…I plotfuqishmi?! Ndoshta term unik! Bota e përdor për ambasadorët, feja për Zotin, ndërsa ne për…policin.

Dhe mbi të gjitha:

Sepse dhuna është ushqyer nga frustrimi që vjen nga vetë dhuna e hierarkisë.

Një efekt domino: i forti i bën presion të dobëtit, dhe i dobëti e derdh dhunën mbi më të pambrojturin.

Si mund të kërkosh që një polic të mbrojë të drejtat e qytetarit, kur askush s’mbron të drejtat e tij në punë?

“Nuk mund të mbrojë të drejtat e njeriut një polic që i shkelen të drejtat.”, thotë Robert Peel, themelues i policisë moderne britanike.

Duhet dalluar shkoqur:

Forca nga dhuna;

Ndërhyrja nga represioni;

Operacioni nga reprezalja;

Ashtu siç dallon qartazi kirurgu nga kasapi.///

error: