TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Në qytetin bregdetar të Sarandës u përmbyll panairi i 10-të kombëtar i suvenireve turistike me qasje mjedisore “Saranda 2022”, veprimtari promovuese në fushën e trashëgimisë e iniciuar nga Qendra Agjencia AJMMI dhe bashkia e Sarandës.



Përgjatë katër ditëve rreth 80 subjekte, artizanë nga vise të ndryshme shqiptare sollën në në kulmin e zhvillimeve verore turistike, prurje nga krijimet si artizanë në teknika e lloje të ndryshme të lëvrimit të artit popullor.


Sipas kryebashkiakut Adrian Gurma, ky panair kontribuoi jo vetëm në përçimin e vlerave më të mira të traditës artizane, por edhe në pasurimin dhe përmirësimin e ofertës turistike të Sarandës, krahas aktiviteteve të shumta të zhvilluara këtë verë në shëtitoren e qytetit.
Në ekspozitat e produkteve artizanale të sjella në Sarandë përgjatë katër ditëve u shpalosën traditat e artit popullor artizanal nga qytete e treva të ndryshme të hapësirës etnokulturore shqiptare: nga Shkodra e Prizreni, Gjirokastra e Kruja, Saranda e Prishtina, Berati, Vlora, Gjakova, Struga, etj.

“Në këtë event jubilar dy ishin qëllimet dhe fokuset kryesore: manifesti i vazhdimësisë së artizanatit burimor shqiptar nëpër kohëra deri në ditët e sotme me risitë që e pasurojnë atë si dhe, promovimi i Sarandës si një pol i rëndësishëm turistik në Shqipëri, si një destinacion e ofertë e larmishme turistike”, theksoi Shkëlqim Hajno, drejtues i AJMMI-t.
Ndërsa Panajot Boli, kryetar i bordit të AJMMI tha se “përgjatë katër ditëve (17-20 gusht), ishin mijëra vizitorë shqiptarë e të huaj që frekuentuan stendat e panairit të 10-të kombëtar të suvenireve turistike me qasje mjedisore”.
Në përfundim të këtij aktiviteti kulturor u ndanë edhe çmimet për prurjet më origjinale nga trashëgimia e artizanatit shqiptar të punëve të dorës.
“Atelie Lizeta” (Gjirokastër) u shpall fituese e çmimit të parë, ndërsa me çmim të dytë u vlerësua “AN’ART” Gjirokastër, motrat Koçollari dhe mjeshtri i mozaikëve në gur, Pjetër Përkeqi. Çmimi i tretë iu akordua subjekteve: Venera Rada (Prizren-Kosovë); Fellenxa Gjeçi (Berat); Kristina Çabiri (Sarandë) dhe Dritëro Lame (Shales-Konispol).

“Të ruash traditën është shumë më tepër se të qepësh një veshje. Edhe përkushtimi për të sjellë origjinalen, është respekti për detajin, është mirënjohja për trashëgiminë dhe puna e pakursyer”, u shpreh për ATSH-në Lizeta Atika, fituese e çmimit të parë.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI