Partia Demokratike mblodhi sot Këshillin Kombëtar, i cili miratoi një rezolutë për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Oerd Bylykbashi lexoi rezolutën e miratuar nga Këshilli.
Sipas rezolutës së PD-së, mandatohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së presidentit të Republikës në Kuvendin e Shqipërisë
Ndërkohë, sipas rezolutës, çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e presidentit me votat e Partisë Socialiste, apo të siguruara pa konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend.
“Partia Demokratike do të shprehë vullnetin e saj për zgjedhjen e presidentit të Republikës me votën e deputetëve të grupit të saj parlamentar, në çdo rast pa u bërë pjesë e farsave institucionale të mazhorancës socialiste. Mandatohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së presidentit të Republikës në Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në rezolutën e PD-së.
Më tej në rezolutë përcaktohet se në rast se në procesin politik dhe parlamentar të gjetjes së kandidaturave, krijohen kushtet për konsensus për votimin e presidentit nga kandidatë të propozuar nga opozita, mandatohen përfaqësuesit e Partisë Demokratike që bashkërisht me përfaqësuesit e tjerë të partive opozitare, të propozojnë kandidatë në raundet e përcaktuara nga Kushtetuta.
“Çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e presidentit me votat e Partisë Socialiste, apo të siguruara pa konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike dhe nenin 4 të Rregullores së grupit parlamentar, siguron zbatimin e qëndrimit politik të Partisë Demokratike të përcaktuar në këtë rezolutë. Çdo qëndrim që bie ndesh me këtë rezolutë detyruese dhe tagrat përfaqësuese politike të rrjedhur nga vendimet e organeve përfaqësuese të Partisë Demokratike, nuk përfaqësojnë Partinë Demokratike në procesin e zgjedhjes së presidentit”, thuhet në rezolutë.
Më 24 korrik 2022, mbaron mandati i Presidentit të Republikës. Kuvendi i Shqipërisë duhet të nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri jo më vonë se 60 ditë përpara fundit të mandatit.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI