Në qarkun e Vlorës vijojnë ndërhyrjet për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura, veçanërisht në zonat e Sarandës, Delvinës dhe Konispolit.
Deputeti i Vlorës, Ardit Bido, deklaroi për ATSH-në se, në Sarandë po vijon puna për riparimin e argjinaturës së Bistricës së Madhe, e cila është dëmtuar duke shkaktuar përmbytje në fushën e Çukës deri në liqenin e Butrintit, përfshirë edhe hidrovorin e zonës.
“Punimet janë në proces dhe parashikohet që riparimi të kërkojë rreth një javë”, u shpreh Bido.
Ai informoi gjithashtu se janë evakuar bagëtitë e një stani, ndërsa janë raportuar dëme në blegtori.
Në Delvinë, reshjet kanë shkaktuar dëmtime në disa fshatra të zonës. Sipas tij, Forcat e Xhenios po punojnë për të rikthyer qarkullimin në akset që lidhin Lefterhorin, Rusanin, Vllahatin, Kakodhiqin dhe zonat përreth.
Ndërkohë, theksoi ai, në Konispol ka nisur të përmirësohet situata në terren.
“Ujërat janë tërhequr nga fshati Vrin dhe hidrovori është vënë në funksion të plotë për të vijuar me pastrimin e fushës së përmbytur”, deklaroi Bido.
Ai siguroi se autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në zonat e prekura.(Arlinda GJONAJ)///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri