Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë Kufitare në Himarë shmangu sot një ngjarje që mund të kishte sjellë pasoja të rënda në det.
Policia Kufitare bëri të ditur se, pas marrjes së njoftimit për një gomone që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar, pa persona në bord, shërbimet policore u nisën menjëherë drejt zonës së “Kepit të Rigonit”, përballë plazhit të Llamanit.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Orikum, kishte rënë në det gjatë lëvizjes së gomones. Ai arriti të dalë në gjirin e Llamanit, ku u konstatua me dëmtime në këmbë.
Shtetasi u transportua për ndihmë mjekësore në spital dhe, sipas autoriteteve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, gomonia që vijonte të lëvizte pa kontroll përbënte rrezik për mjetet e tjera lundruese dhe pushuesit në zonë.
Falë ndërhyrjes së koordinuar të Njësisë Policore Detare dhe Policisë Kufitare, mjeti u vu nën kontroll. Një punonjës i Njësisë Policore Detare arriti të hipte në bord dhe të ndalonte gomonen.
Pas neutralizimit të rrezikut, mjeti lundrues u tërhoq në Pikën e Kalimit Kufitar Himarë, ku do t’i nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme.
Policia Kufitare theksoi se mbetet e angazhuar maksimalisht në garantimin e sigurisë së qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve përgjatë sezonit veror, duke u bërë thirrje qytetarëve që në çdo rast nevoje të kontaktojnë numrin e emergjencës 112.///
ME SHUME LAJME
“Do qeverisim sipas kontratës që kemi me shqiptarët, jo sipas algoritmit.”
Rama: Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner
Ksamil. U rrezikuan të mbyteshin në det; Policia Kufitare shpëton dy turistë ukrainas