Protestuesit u mblodhën sërish pasditen e kësaj të shtune në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqjen e Kryeministrit.
Me pankarta në duar, ata kërkuan gjithashtu largimin e kastës së vjetër politike, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Në ditën e 28-të radhazi, protesta kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec filloi me 1 minutë heshtje në kujtim të 82-vjetorit të nisjes së gjenocidit kundër çamëve nga shovinistët grekë. Më pas qytetarët u zhvendosën para Kryeministrisë, prej nga u mbajtën dhe fjalime nga organizatorët dhe qytetarë të zakonshëm.
Protestuesit vijuan thirrjet për “Shqipëri të re”, ndërkohë që pas himnit kombëtar, u rilexuan kërkesat e protestës.
“Qëndresa jonë është historike dhe ndër më të bukurat, kaq fisnike dhe kaq paqësore i ka prishur gjumin qeverisë. Ndërkombëtarët janë me ne dhe do të jenë me ne, disa janë këtu e disa do të vijnë në vijim. Kërkojmë shfuqizimin e ligjit, pasi është nëna e të gjitha të zezave. U themi europianëve se kur cenohet ekosistemi i Shqipërisë, cenohet edhe ai i BE-së”, tha një nga protestueset.
Një protestues i ka bërë thirrje SPAK që t’i ndihmojë që revolucioni për “Shqipërinë e re” të ndodhë paqësisht.
“Thirrje SPAK që ta bëjnë të mundur që ky revolucion të ndodhë paqësisht”, tha ai.
E pranishme në protestën e sotme ishte edhe eurodeputetja italiane, Ilaria Salis, e cila mbajti edhe një fjalim përpara të pranishmëve. Ajo tha se Shqipëria dhe pasuritë e saj natyrore nuk janë “plaçkë për t’u shitur”.
“Evropa nuk është në Bruksel, Evropa është këtu. Është Evropa më e mirë kjo, sepse populli me trupin, inteligjencën, nevojat, ëndrrat me të drejtën për të vendosur për të ardhmen po ngrihet në këmbë. Sot populli, Shqipëria, bukuria, visaret e trashëgimisë natyrore nuk janë plaçkë për t’u shitur tek shitësi më i mirë, ishulli i Sazanit dhe laguna e Nartës duhet të qëndrojnë të mbrojtura për të gjithë.
“Këto nuk duhet të bëhen parku i lojërave për pasanikë. Ky është model që duhet kundërshtuar sepse bazohet mbi korrupsionin, privatizime dhe interesat e më të fuqishmëve. Gjëra të tilla ndodhin kudo në Evropë dhe në të gjithë botën. Ajo që po bëjmë ne sot, është shumë e rëndësishme, sepse këtu po bëhet historia, po hapet rruga për të gjithë popujt me trimëri.
Një shembull që na fton të marrim në dorë fatet tona në duart tona dhe mos të lejojmë që oligarkitë të vendosin për ne, sepse Shqipëria nuk është në shitje, bota nuk është në shitje. Të drejtat e personave, natyrës, duhet të vijnë para parasë dhe oligarkive. Rroftë “Revolucioni i Flamingove”, rroftë Shqipëria”, tha Ilaria Salis.
Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Një prej protestuesve njoftoi se se më 4 korrik diaspora do jetë sërish në Tiranë për të protestuar.
Protestuesit u shpërndanë pas disa orësh duke marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në disa rrugë kryesore.
Dita 28 e protestës; Fotoreporter: Florian Abazaj (Marseda QEFALIA) ///







ME SHUME LAJME
FOKUS – Ushtrimet fizike për të shmangur rrëzimet pas të 60-ave
Policia e Dhërmiut i shkon në ndihmë turistit rumun.Mbeti i bllokuar në kanionin e Gjipesë
Kulturë.Sarandë. Artistët nuk largohen kurrë. Ata vazhdojnë të jetojnë në veprat që krijuan.