Protesta kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës ka hyrë sot në ditën e tetëmbëdhjetë.
Në kryeqytet, qytetarë dhe aktivistë nga shoqëria civile vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës, Sali Berisha, ndërsa kanë parashtruar dhe katër kërkesa të tjera. Ata po ashtu shprehen kundër shitjes së pasurive kombëtare.
Protesta nisi në orën 19:00, ndryshe nga më herët kur orari i mbledhjes ishte 18:00. Ndryshimi i orarit u mor si vendim për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbledhur përpara Kryeministrisë.
Me thirrjet “Revolucion”, “Dorëheqje” dhe “Shqipëri e re” dhe me pankarta në duar, protestuesit u vendosën para godinës së Kryeministrisë, ku artikuluan edhe një herë tjetër kërkesat e tyre.
“Ne e kemi seriozisht dhe nuk do të ndalemi. Sot ka ndodhur një ngjarje e madhe që vjen nga protesta. Në Parlamentin Europian sot është thënë qartë që ligji për zonat e mbrojtura duhet të amendohet, duhet të kthehet mbrapsht. Kjo është kërkesa që ne kemi bërë që prej ditës së parë”, tha një protestues.
Një nga risitë e protestës sot ishte mbajtja e fjalimeve nga të moshuarit.
“Në familjen e gjithsecilit prej nesh nuk ka një gjysh që mund të jetojë me dinjitet vetëm me pensionin e tij, është i varur nga fëmijët e tij në mërgim. Sot ka qenë një thirrje shumë e bukur nga të rinjtë: merr gjyshin në protestë. Nëse gjyshi nuk vjen dot, protesto për gjyshin!”, tha një tjetër protestuese.
“Duhet t’u dëgjohet fjala edhe pensionistëve. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë pensione shumë më të larta se ne. Si shpjegohet që në Shqipëri pensionet janë më të ulëta?”, tha një pensionist.
Një tjetër protestuese u shpreh se sot PE kërkoi moratorium të menjëhershëm për ligjin e zonave të mbrojtura në Shqipëri. “PE kërkon që qeveria shqiptare të pezullojë të gjitha lejet e ndërtimit në zonat e mbrojtura”, tha ajo.
Ashtu si në protestat e mëparshme, edhe këtë mbrëmje pritet që pas qëndrimit për disa orë para Kryeministrisë, protestuesit të zhvillojnë një marshim nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përcjellë mesazhet dhe kërkesat e tyre.
(vijon…)
Protesta kundër investimit në Zvërnec, foto: Florian Abazaj
1 nga 21





















ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI