SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama për konfiskimin e ndërtimeve pa leje: Paralelisht hetim për inspektorët e zonës

 Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas nisjes së operacionit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje.

Rama u shpreh se paralelisht ka nisur një hetim për inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime.

“Ku ishte shteti kur u ndërtua? E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime! Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t’iu mbushur mendjen atyre që s’duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh: E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se deri dje”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

“E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, po një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit e i ligjit në terren nuk merret kollaj, po me mund e durim të madh”, theksoi Rama.

“E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe në një vullnet të papërkulur për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund”, shkroi Rama.

“E katërta, ka shumë të ngjarë që me mbylljen përfundimtare të rrugës së legalizimit dhe konfiskimet e këtyre hapësirave abuzive për interes publik, të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme”, shtoi Rama.

“E pesta dhe e fundit, e cila është edhe personale dhe e kam me ata që më dinë si veten e tyre apo më akuzojnë për gjëra që mesa duket do t’i bënin vetë në vendin tim: Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq”, përfundoi Rama.///

error: