Kryeministri Edi Rama prezantoi sot vendimin e qeverisë që i jep jetë një nisme të re demokratike, duke hapur procesin gjithëpërfshirës të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë.
Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Rama tha se “me një pyetësor drejtuar çdo shqiptari, në Shqipëri apo në botë, do të zhvillojmë një kuvendim popullor, ku duam mendimin tuaj mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë”.“Është koha t’i lemë pas llogoret e sherrit politik që të hedhim hapa të mëdhenj përpara, duke u këshilluar së bashku për vendime me rëndësi politike, ekonomike e sociale.Le të dëgjojmë njëri-tjetrin si njerëz të këtij vendi të bekuar, si shqiptarë e shqiptare që na ndajnë shumë gjëra, po na bashkon flamuri kuqezi dhe e ardhmja e fëmijëve tanë pa dallim”, tha Rama.
“Pikërisht në prag të një viti të ri vjen dhe kjo nismë e re e qeverisë për Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë me një pyetësor të cilin do t’ja vëmë në dispozicion të gjithë shqiptarëve brenda apo jashtë vendit. Do t’i japim jetë një Kuvendimi popullor ku do të thithim mendimin e tyre mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë dhe shoqërinë tonë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “është më shumë se asnjëherë më parë koha për t’i lënë pas llogoret e sherrit politik dhe për të menduar për gjërat që na bashkojnë, përtej shumë gjërave që na ndajnë, në mënyrë që të hedhim hapa të rëndësishëm para, duke u këshilluar së bashku për vendime që kanë rëndësi dhe impakt të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e shtëpisë sonë të përbashkët”.
Temat e pyetësorit, sipas Ramës përfshijnë çështje të ekonomisë, gjendjes sociale, si dhe përpjekjes jetike për të thelluar arritjet dhe njëkohësisht adresuar plagët e padrejtësisë në funksion të luftës për drejtësi.
Duke bërë një paraqitje të përmbledhur të temave, Kryeministri u ndal te anëtarësimi i Shqipërisë në BE, i cili sipas tij, “sot është i lidhur direkt me një veto të vendosur mbi Maqedoninë e Veriut nga një shtet i tretë.
“Gjithmonë e më shumë ka një debat që nuk mund të jetë jashtë vemendjes së qeverisë. Ka njerëz që thonë se duhet të ndahet rruga nga Maqedonia e Veriut, që vendi ynë të vlerësohet direkt individualisht për meritat e tij. Ka të tjerë që mendojnë se ne mund të presim dhe duhet të presim në funksion të ruajtjes së këtij kohezioni brenda përbrenda rajonit dhe marrëdhënies që kemi me Maqedoninë e Veriut. Sot jemi në kushtet kur praktikisht kemi para, me hyrjen e vitit të ri, një 6-mujor me rëndësi të veçantë, por ne duam t’i drejtojmë shqiptarëve një pyetje për të formuluar një vendimmarrje strategjike. A duhet ne ta kërkojmë direkt dhe hapur ndarjen nga Maqedonia e Veriut në gjykimin e BE-së në rast se edhe 6- mujori i parë 2022 do të rezultojë njësoj si koha e deritanishme, dhe ne si Shqipëri do të mbetemi sërish peng i vendimmarrjes së Maqedonisë së Veriut?”, tha Rama.Po ashtu, Rama tha se një tjetër pyetje do të ketë të bëjë me “Ballkanin e Hapur”.“Pavarësisht bindjeve të mia, ka njerëz që besojnë se nisma në funksion të një hapësire të integruar rajonale është gjëja e duhur, por ka të tjerë që thonë se kjo nismë nuk i sjell përfitime Shqipërisë. Do i drejtohemi shqiptarëve për të marrë opinionin e e tyre”, tha ai.Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij./ata///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri