Në kuadër të zbatimit të reformës së qeverisjes digjitale, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se do të vijojë me apostilimin/legalizimin e të gjitha dokumenteve që do të përmbajnë vulën elektronike ose nënshkrimin elektronik. MEPJ theksoi se, gjithsej janë 1200 shërbime online që i ofrohen qytetarëve, duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në rajon që plotëson listën për shërbimet elektronike dhe statistikat sa i përket qeverisjes digjitale.
MEPJ bëri të ditur se, të gjithë dokumentet e lëshuara nga administrata shqiptare e të destinuara për t’u përdorur jashtë shtetit duhet të jenë të legalizuara. Të legalizuara duhet të jenë edhe dokumentet e huaja që do të paraqiten në autoritetet tona. Legalizimi është procedura e njohjes së rregullshmërisë së dokumentit të huaj. Për këtë diplomatët konsullorë konfirmojnë funksionarin përgjegjës dhe institucionin, përkatësisht duke vërtetuar nënshkrimin dhe vulën. Më parë autoriteti që lëshon dokumentin duhet të ketë njoftuar personat që kanë të drejtë të lëshojnë dokumente dhe depozituar nënshkrimet e tyre.
Autoritetet përgjegjëse për legalizimin e dokumenteve për secilin vend të huaj mund të gjenden në faqet zyrtare të ministrive të jashtme. Legalizimi i dokumenteve shqiptare për përdorim jashtë shtetit dhe legalizimi i dokumenteve të huaja për t’u paraqitur në autoritetet shqiptare rregullohet me VKM nr. 134, datë 07.03.2003.
Sa i përket apostilimit të dokumenteve, MEPJ thekson se, Shqipëria është anëtare e Konventës së Hagës “Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja” të 5 tetorit 1961, që do të thotë se dokumentet shqiptare që do të përdoren në vendet anëtare të së njëjtës Konventë, si dhe anasjelltas, nuk do të legalizohen nga përfaqësitë diplomatike e konsullore. Në bazë të kësaj Konvente, dokumentet pajisen me një vulë Apostille nga autoriteti kompetent i vendit ku janë lëshuar dhe më pas mund të përdoren direkt në institucionin përkatës (Gjendje civile, gjykatë, institucion arsimor, etj.) të vendit pritës.
Bazuar në marrëveshjet me autoritetet e vendeve respektive Itali, Belgjikë, Austri, Kuvajt përkthimi/noterizimi i dokumentave në vend, në gjuhën e shtetit ku do të përdoret merret i mirëqenë pas legalizim/apostilimit nga MEPJ.
MEPJ shtoi se, me marrëveshje dypalëshe dokumentet për disa vende (Hungaria, Republika Çeke, Rumania, Rusia, Sllovakia dhe Bullgaria) pranohen direkt pa pasur nevojë të legalizohen apo apostilohen.
Në Shqipëri, autoriteti përgjegjës për legalizimin e apostilimin e dokumenteve është MPJ, Drejtoria Konsullore. Në vende të tjera mund të jetë Ministria e jashtme, Ministria e Drejtësisë, apo edhe struktura të ndryshme lokale, thekson MEPJ. Autoritetet përgjegjëse për legalizimin e dokumenteve për secilin vend të huaj mund të gjenden në faqet zyrtare të ministrive të jashtme. MEPJ njofton se, paraqitja e dokumenteve për legalizim jashtë shtetit bëhet direkt në përfaqësitë tona jashtë shtetit. Paraqitja e dokumenteve për legalizim në Shqipëri bëhet përmes shërbimeve postare. ///
ME SHUME LAJME
MEMORIE. Sot kujtojmë Prof. Moikom Zeqon, intektualin e rrallë.
Media italiane “TgYou24”: Mes plazheve dhe trashëgimisë kulturore, Shqipëria në krye të tendencave turistike
Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës