SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Sarandë. Kreu ndërtim pa leje, arrest në shtëpi për punonjësin e Policisë.

 Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka dokumentuar fakte dhe prova të reja që lidhen me procedimin penal 304/2026, ku është nën hetim edhe punonjësi i policisë Ajdin Islamaj në atë kohë me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.

Nga akti i ekspertimit teknik i administruar në kuadër të hetimit ka rezultuar se në pasurinë në pronësi të babait të shtetasit në hetim, ku Ajdin Islamaj banon janë kryer punime ndërtimore pa lejen përkatëse të organeve kompetente, duke konsistuar në shtimin e një kati mbi një objekt ekzistues dykatësh, si dhe ndërhyrje të tjera ndërtimore e rikonstruktive me qëllim ndryshimin e destinacionit të objektit në funksion akomodimi (hotel).

Sipas konkluzioneve të ekspertëve të licensuar, struktura e realizuar përbën ndërtim të ri në kuptim të legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe për kryerjen e saj kërkohej pajisja me leje ndërtimi nga autoritetet kompetente.

Nga verifikimet e kryera nuk rezulton të jetë miratuar ndonjë leje ndërtimi për realizimin e këtij kati shtesë.

Nga hetimet ka rezultuar se sipërfaqja e ndërtuar pa leje është jo më pak se 159 m² me funksion hotel.

Gjithashtu, bazuar në analizën e pamjeve satelitore dhe hetimeve eshte provuar se punimet janë realizuar gjatë vitit 2025, kohë në të cilën edhe ka mbuluar zonen.

AMP vlerëson se respektimi i ligjit duhet të jetë standardi i parë dhe i panegociueshëm për çdo punonjës policie. Besimi i qytetarëve tek institucionet e zbatimit të ligjit cenohet rëndë kur vetë funksionarët publikë dyshohet se shkelin ligjin që kanë detyrimin ta zbatojnë dhe ta mbrojnë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale, identifikimin e çdo personi të përfshirë dhe verifikimin e rrethanave që kanë mundësuar realizimin e këtyre ndërtimeve në kundërshtim me ligjin.(Rezart EKMEKXHI)///

error: