Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, mori pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak të Sarandës, ku për herë të parë pas vendimit të gjykatës u rikthye në detyrë këshilltarja e opozitës Edlira Gjidede.
Zhupa e cilësoi këtë një ditë të rëndësishme për demokracinë vendore, duke deklaruar se rikthimi i mandatit të Gjidedes rivendosi përfaqësimin e opozitës në Këshillin Bashkiak. Sipas saj, këshill bashkiak ka vepruar në paligjshmëri.
“Opozita u përfaqësua edhe me Edlirën sot në Këshillin Bashkiak dhe ngriti çështjet e interesit publik, që nga arsimi, problemet e ujit të pijshëm, problemet e terminalit, parkimeve dhe gjithçka tjetër që ka nevojë t’u jepet zë për qytetarët e Sarandës”, tha ajo.
Zhupa theksoi se Partia Demokratike e çoi çështjen deri në fund përmes rrugës ligjore, duke argumentuar se vota e qytetarëve nuk mund të tjetërsohet nga shumica socialiste në Këshillin Bashkiak.
“Ne treguam se, si Partia Demokratike, i shkojmë deri në fund të drejtës. Treguam se vota e qytetarëve nuk mund të tjetërsohet nga vullneti i mazhorancës socialiste, edhe pse ajo ka votat në Këshill. Sepse e drejta është e patjetërsueshme dhe ne do t’i qëndrojmë asaj, siç i qëndruam deri në fund edhe në këtë rast”, tha Zhupa.
Deputetja u shpreh se këshilli bashkiak aktual “së shpejti do të shpërbëhet” dhe se Partia Demokratike synon të fitojë besimin e qytetarëve për të ndryshuar drejtimin e Bashkisë së Sarandës.
“Ky Këshill Bashkiak së shpejti do të shpërbëhet, por çdo ditë që ne do të jemi këtu, do të jemi në shërbim të interesit të qytetarëve të Sarandës. Dhe së shpejti, uroj që me votën e qytetarëve të Sarandës ta ndryshojmë këtë Këshill Bashkiak, ta ndryshojmë Bashkinë e Sarandës dhe ta kthejmë atë në funksion të qytetarëve, në funksion të së mirës publike, të interesit publik dhe jo në funksion të interesave partiake apo të interesave të oligarkëve, siç ka qenë deri tani”, tha ajo.///
ME SHUME LAJME
“Shtëpia e Midhjeve” renditet e dyta në TEA Awards 2026 në kategorinë e gastronomisë
Policia e Tiranës: Dhunohet gazetari Ilir Demaliaj, shpallet në kërkim autori
Memorie. Dy vite pa Ismail Kadarenë, gjeniun e letrave që bëri Shqipërinë të flasë me botën