Nga Etleva XHAJANKA
Prodhimi në serra është kthyer tashmë në një trend fitimprurës për fermerët në të gjithë vendin.
Krahas kultivimit të perimeve tradicionale, si domatja, kastraveci, speci etj., zgjerim po merr mbjellja në serra edhe e frutikulturave të ndryshme, por edhe e bimëve tradicionalisht të fushës, siç janë sallata, qepa e spinaqi.Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në rubrikën “Njerëzit e Bujqësisë” me 365 histori të prodhuesve shqiptarë, solli shembullin e Arzen Maldit, nga Kosmaçi i Shkodrës, që ka zgjedhur të kultivojë sallatë e spinaq në serrat e tij.
40-vjeçari shkodran tregon për lidhjen e tij me tokën që kur ishte fëmijë.“Që kur kam mësuar të eci, hapat e parë i kam hedhur në tokat e mia. Me bujqësinë jam rritur”, shprehet Maldi.Ai tregon se më e bukura e kësaj pune është se punon për veten e familjen e tij.
“Serrat janë të mbjella me spinaq. Sallata dhe spinaqi më pëlqejnë më shumë nga të gjitha bimët”, thotë Maldi, teksa shihet në foto me prodhimin e bollshëm të sallatës që ka mbjellë në serrat e tij.
Fermerët shprehet se mbjellja në serra është investimi “i zgjuar” në bujqësi, kjo falë edhe mbështetjes në rritje që adreson Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe politikave lehtësuese në drejtim të zhvillimit të serrave, teksa sigurojnë prodhim gjithëvjetor për produktet bujqësore që janë mjaft të kërkuara nga tregjet e konsumatori.Vitet e fundit investimet në këtë sektor janë qasur drejt risive dhe teknologjive të aplikuara që sigurojnë rritje të rendimentit të prodhimit sipas standardeve më të mira dhe produkte konkurruese brenda dhe jashtë vendit, gjatë gjithë vitit.
Fermerët kanë shtuar ndjeshëm sipërfaqet me serra dhe prodhimin e perimeve të freskëta në to, falë edhe subvencioneve nga dy masa të Skemës Kombëtare të Mbështetjes së Bujqësisë që adresojnë pagesa direkte, për faturat e inputeve bujqësore dhe financim 50 % të vlerës së investimit në serra.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, produktet e perimeve në serra përfaqëson mbi 25 % të prodhimit të përgjithshëm bujqësor vendas, ku një pjesë e konsiderueshme e këtij prodhimi shkon për eksport, teksa konfirmon vijueshmërinë e mbështetjes për këtë sektor.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri