ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u shpreh se sezoni turistik i këtij viti solli mbështetje për ekonominë, megjithëse në kushtet e vështira që krijoi situata e Covid-19.
Gjatë një interviste televizive, Klosi tha se, “turizmi, biznesi i bregdetit prodhoi tregues pozitiv. Kjo verë ishte një mundësi e artë për të promovuar Shqipërinë, në kushtet e kufizimit të lëvizjes jashtë vendit. Shqipëria u eksplorua në shumë drejtime, në atë të turizmit malor, kulturor, historik e më gjerë”.
“Shpresojmë që verën e vitit që vjen me ofertën turistike shqiptare dhe hapjen e tregut të krijojmë një treg të ri turistik rajonal. Kemi objektiv që deti shqiptar si i vetmi det për shqiptarinë ne ta afrojmë për vendet e rajonit”, u shpreh ai.
Sipas Klosit, këtë vit Shqipëria, pati fluks të shtuar nga Maqedonia, Kosova, Serbia, Bosnja etj dhe ia doli të hapte një treg të ri turistik në kushtet e situatës së vështirë.
Klosi tha se investimet në infrastrukturën rrugore do të sjellin një bum turistik për Shqipërinë nga vendet e rajonit.
“Edhe pse patëm turizëm të kufizuar, në fund të korrikut e deri në fund të shtatorit bregdeti shqiptar ka qenë i mbushur konsiderueshëm. Të gjitha strukturat hoteliere kanë qenë me kapacitet të plotë të hapura dhe në punë duke ruajtur standardet e shërbimit”- tha ai.
Sipas ministrit, edhe tani në fund të tetorit fundjavat janë të populluara.
“Kemi turistë shqiptarë që lëvizin nëpër Shqipëri. Hotelet 100 % të okupuara. Ne kemi lëvizje të brendshme favorizuar nga moti. Në qershor Shqipëria ishte vendi i parë në Europë që priti çarterin e parë ndërsa vijuan çartera nga vende të ndryshme. Shqipëria është destinacion turistik 12-mujor. Do të kërkojmë vitin tjetër që sezoni turistik të jetë 12- mujor ndryshe nga ç’është tani deri më 15 nëntor”, u shpreh Klosi.
“2020 dëshmoi se Shqipëria është e fortë në turizëm. Në hotele po investohet fuqishëm. Jemi të krahasueshëm me vendet e rajonit për sa i takon turizmit. Qeveria me masat që mori i dha shpresë dhe kurajo biznesit të turizmit. Ndërsa u dhanë një numër i konsiderueshëm lejesh për investime në këtë sektor. Jemi në 1/4 e potencialit të shfrytëzuar turistik” – deklaroi Klosi.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI