Shqipëria dhe Greqia koordinojnë veprimet e strukturave policore në pikat e kalimit kufitar, për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve në të dyja anët e kufirit.
Zv.ministri i Brendshëm, Andi Mahila, i shoqëruar nga drejtuesit e policive të qarqeve Gjirokastër e Korçë, zhvilloi në Kakavijë një takim me zv.ministrin e Mbrojtjes Qytetare dhe Emigracionit të Greqisë, Eleftherios Oikonomou dhe me përfaqësues të Policisë greke, në kufirin me Shqipërinë.
Ata diskutuan çështje të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve, në të dy anët e kufirit.
Zv.ministri Mahila u shpreh se “së bashku me autoritetet greke kemi ndërtuar marrëdhënie të cilat, nga të dyja palët, vlerësohen në nivel shumë të mirë”.
“Takimi i sotëm është dëshmi e vullnetit të dy qeverive tona, për të thelluar, zgjeruar dhe intensifikuar marrëdhëniet, bazuar në interesat strategjike reciproke, bashkëpunimin e ngushtë në NATO dhe perspektivën e përbashkët europiane”, tha ai.
“Prezenca në takimin e sotëm e të gjithë drejtuesve më të lartë të policive vendore dhe të kufirit, si dhe drejtuesve të zonave kufitare midis dy vendeve, tregon edhe një herë tjetër bashkëpunimin e frytshëm midis policive të dy shteteve, si dhe është një konkretizim i angazhimit të marrë me qëllim realizimin e objektivave që janë vendosur në nivele qeveritare”, u shpreh Mahila.
“Menaxhimi i fluksit të hyrje-daljeve të shtetasve dhe të mjeteve, në pikat e kalimit kufitar, vazhdon të jetë një preokupim i strukturave tona përgjegjëse, reciproke”, theksoi Mahila.
“Një nga temat kryesore të bisedimeve të sotme ishte pikërisht koordinimi dhe organizimi në detaj i punës me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve tanë. Synojmë fillimisht lëvizje të sigurtë dhe pa probleme, kryesisht për periudhat e festave siç është kjo e Pashkëve, gjatë javës së ardhshme, por patjetër edhe gjatë sezonit turistik dhe festave të fundvitit”, nënvizoi Mahila.
“Bashkërendimi i veprimeve tona të përbashkëta për vënien në funksion të Qendrës së Përbashkët të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor, marrëveshje e cila është nënshkruar midis dy qeverive tona, dhe ratifikuar nga parlamentet respektive, ishte një temë tjetër diskutimi e takimit të sotëm”, tha më tej Mahila.
Ai u shpreh se, të dyja palët kanë rënë dakord dhe kanë filluar angazhimet reciproke për vënien në funksion të kësaj qendre brenda këtij viti.
Gjithashtu, shtoi Mahila, “prezencën e FRONTEX në kufijtë tanë e vlerësojmë si një garanci për sigurinë dhe luftën cilësore ndaj krimit të organizuar. Vënia në funksionim e Qendrës së Përbashkët të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor do të jetë një vlerë e shtuar, e cila do të kontribuojë në konsolidimin e cilësisë së kësaj lufte”.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI