Në shumë vende, viti i ri fillon më 1 janar. Megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fakt, për shekuj me radhë, data të tjera shënonin fillimin e kalendarit, duke përfshirë 25 marsin dhe 25 dhjetorin.
Caktimi i 1 janarit si Dita e Vitit të Ri erdhi falë mbretit romak Numa Pompilius. Gjatë mbretërimit të tij (715–673 para Krishtit) Numa e rishikoi kalendarin republikan romak në mënyrë që janari të zëvendësonte marsin si muajin e parë. Ishte një zgjedhje e përshtatshme, pasi janari u emërua sipas Janusit, perëndisë romake të të gjitha fillimeve; ndërsa muaji mars ishte në nder të perëndisë së luftës, Marsit. Por 1 janari nuk u bë fillimi zyrtar i vitit romak deri në vitin 153 para Krishtit.
Në vitin 46 p.K Jul Cezari prezantoi më shumë ndryshime, megjithëse kalendari Julian, siç u bë i njohur, e mbajti 1 janarin si datën e nisjes së vitit. Me zgjerimin e Perandorisë Romake u përhap gjithashtu edhe përdorimi i kalendarit Julian.
Në vitin 1582, përveç zgjidhjes së problemit me vitet e brishta, kalendari Gregorian rivendosi 1 janarin si fillimin e Vitit të Ri. Ndërsa Italia, Franca dhe Spanja ishin ndër vendet që pranuan menjëherë kalendarin e ri, kombet protestante dhe ortodokse ishin të ngadalta në miratimin e tij. Britania e Madhe dhe kolonitë e saj amerikane nuk filluan të ndiqnin kalendarin Gregorian deri në vitin 1752. Përpara kësaj, ata festonin Ditën e Vitit të Ri më 25 mars.
Me kalimin e kohës, vendet jo të krishtera gjithashtu filluan të përdorin kalendarin Gregorian. Kina (1912) është një shembull i shquar, megjithëse vazhdoi të festonte Vitin e Ri Kinez sipas një kalendari hënor. Në fakt, shumë vende që ndjekin kalendarin Gregorian kanë edhe kalendarë të tjerë tradicionalë ose fetarë. Disa kombe nuk e përvetësuan kurrë kalendarin Gregorian dhe kështu e fillojnë vitin në data të tjera përveç 1 janarit. Etiopia, për shembull, feston Vitin e Ri (i njohur si Enkutatash) në shtator./(Edlira RUZI)////
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI