Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD ka vendosur të mbështesë kandidaturat e saj për Avokatin e Popullit, duke theksuar se grupi parlamentar do të bëjë të ditura emrat e kandidaturave që sipas partisë “e përmbushin më mirë këtë funksion”.
Në një konferencë për shtyp në selinë e PD-së, Berisha tha se firmat mund të jenë dhënë, por PD mbështet disa kandidatura, duke iu referuar kandidatëve që kanë mbledhur firmat e duhura për kandidatë për pozicionin e Avokatit të Popullit.
Sipas Berishës, sot në grupin parlamentar do bëhen të ditur kandidatë të cilët e kryejnë më mirë atë detyrë.
I pyetur lidhur me listat e mbyllura për deputetë, Berisha tha se, listat e mbyllura nuk ishin më të mira, por sipas tij, ky sistem u imponua nga Edi Rama.
“Absolutisht nuk ishin kurrë më të mira. Pa diskutim. Po ky sistem u imponua nga Edi Rama. Sistemi është deformuar në palcë në vitin 2021 nga Edi Rama. Nuk ka diskutim”, tha Berisha.
Berisha deklaroi gjithashtu se çdo aktivitet i zhvilluar jashtë forumeve të PD-së është strikt privat dhe nuk ka asnjë lidhje me partinë duke iu referuar foltores që pritet të nisë Ervin Salianji ditën e sotme.
Berisha shtoi se PD është një parti me statut dhe institucione të qarta, dhe se debati dhe mbledhjet e forumeve janë në vazhdim, duke u hapur për të gjithë anëtarët dhe drejtuesit.
“Çdo person tjetër që për qëllime personale organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk kanë asnjë lidhje me partinë,” përfundoi ai, duke theksuar se ky është një rregull i zakonshëm për partitë politike në botë. (Gjergji MIMA)///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI