SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Tri të vërteta të thjeshta (për Kryeministrin)

Nga Fatos TARIFA

1. Kryeministri është administratori i punëve të qeverisë, jo pronari i saj. Qeveria është e qytetarëve dhe duhet t’i bindet vullnetit të tyre. Vizioni qeverisës i një kryeministri nuk mund të jetë i ndryshëm, apo i shkëputur nga vullneti i qytetarëve, i shprehur jo vetëm përmes votës një herë në katër vjet, por edhe përmes protestave kundër mënyrës së qeverisjes dhe drejtuesit të qeverisë, kur kjo mënyrë qeverisjeje nuk gëzon mbështetjen e tyre.

2. Dikush nga ministrat apo këshilltarët e kryeministrit duhet t’i shpjegojë këtij të fundit një të vërtetë elementare: një investim privat prej 4 miliardë eurosh në sektorin e turizmit, i shpërndarë në disa vite, nuk e rrit Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit me 4 miliardë euro në vit — as në një vit, as në dhjetë vjet. Kjo është një e vërtetë ekonomike aq e thjeshtë, sa mund të kuptohet nga çdo njeri me njohuritë më elementare.

3. Arroganca e kryeministrit, e shfaqur prej vitesh në marrëdhëniet e tij shpërfillëse me qytetarët e këtij vendi, perceptohet sot si një kategori morale, politike dhe estetike thellësisht e shëmtuar. Ajo nuk është shenjë force apo vendosmërie; përkundrazi, dëshmon frikë dhe pasiguri. Kjo arrogancë personale, e shndërruar edhe në arrogancë shtetërore, është ndër shkaqet më të thella të indinjatës e të zemërimit të qytetarëve që protestojnë sot në Shqipëri.

Ngaqë kryeministri e ka të pamundur të çlirohet nga natyra e tij, nga arroganca dhe prepotenca që janë bërë tipare përcaktuese të identitetit të tij politik e publik, do të ishte më e ndershme që ai të hiqte dorë nga drejtimi i qeverisë dhe të largohej nga politika. ///

error: