Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu në një dalje publike mbrëmjen e sotme sqaroi për opinionin situatën e zjarreve në Delvinë dhe Finiq, ndërsa flakët sipas raportimeve gjatë pasdites kanë kaluar parkun arkeologjik të Finiqit ndërsa më herët rrezikuan të ndihmuara nga era, edhe banesa në 2 fshatra.
Së bashku me zyrtarë lokalë, Vengu informoi përpjekjet e forcave të emergjencave civile, ushtrisë dhe trupave lokale për të vendosur në kontroll flakët.
Ai theksoi se që prej mesditës ka pasur një situatë problematike në rrafshin e kodrave që ndan dy bashkitë, por bashkërendimi i forcave të shumta bëri të mundur shuarjen e një pjese të madhe të vatrave.
“Jemi përqendruar me 8 mjete zjarrfikëse, 40 trupa zjarrfikëse nga 2 bashkitë si dhe 65 forca të armatosura. Kemi pasur ndërhyrje të gjata dhe eficiente nga forca ajrore që ka bërë të mundur frenimin e të gjitha vatrave në drejtim të zonave të banuara. Pas tyre, rëndësi kanë marrë zonat ekonomike dhe parku me vlerë kulturore e arkeologjike i Finiqit”, tha ai.
Sipas ministrit, infrastruktura e aksesit në park është shpëtuar falë ndërhyrjes së gjithë trupave zjarrfikëse të Finiqit që kanë bërë punë të shkëlqyer.
“U bë e mundur ruajtja dhe mbrojtja e gjithë pasurisë kulturore në park, pjesa e bazilikës, thesarit të vjetër sikundër edhe amfiteatrit”, tha ministri Vengu.
Ai shtoi se ka pasur koordinim të mirë dhe do të jetë një natë vigjilence.
Prefekti i qarkut Vlorë, Kristo Kiço u shpreh gjatë komunikimit se ka pasur ndërhyrje dhe ndihmë të shpejtë nga Ministria e Mbrojtjes.
Sipas tij, bashkia e Finiqit reagoi po ashtu shpejt, ndërsa zjarri i mesditvs së sotme nga dinamika mund të cilësohet si një nga zjarret më të fuqishëm që ka ndodhur ndonjëherë.
“Zjarri u përhap në mënyrë të rrufeshme edhe për shkak të erës që e favorizoi. Rëndësi ka që nuk kemi dëme në njerëz dhe banesa dhe këtë udhëzim e dhamë që në fillim”, tha ai duke falënderuar për dërgimin e menjëhershëm të helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes, që sipas tij, fha një ndihmë të madhe.
Një vatër e madhe zjarri është aktivizuar rreth mesditës së sotme në bashkinë e Finiqit, që ndodhet 20 kilometra nga Saranda.
Në operacionin për fikjen e zjarrit u përfshirë forca të shumta nga strukturat e pushtetit vendor të bashkive Sarandë, Himarë, Gjirokastër, Dropull dhe Konispol, të mbështetura nga efektivët e Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar.(Juliana Prifti).///
ME SHUME LAJME
Zbardhet dinamika e vrasjes në Sarandë, shpallet në kërkim autori dhe pesë të tjerë
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”
Një karrocë fëmijësh për kryeministrat